Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, manipuluan votat e emigrantëve

Gjykata e Durrësit dënoi me burg komisionerët e Shijakut për akuzat e krimeve zgjedhore të ngritura nga prokuroria për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Përveç dënimit me burg, Gjykata e Durrësit ka vendosur të dënojë edhe me heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite për të gjithë komisionerët.

Komisionerët e 3 qendrave të votimit në fshatrat Shetël dhe Rubjek të Durrësit lejuan votimin në emër të 62 emigrantëve ose personave të tjerë që figuronin jashtë vendit.

7 janë komisionerë të Partisë Socialiste ndërsa 14 i përkasin opozitës së sotme nga të cilët 8 janë komisionerë të Partisë Demokratike, 3 nga LSI dhe 3 të Partisë Republikane.

Komisionerët kanë verifikuar në sistemin TIMS personat që ndodheshin jashtë vendit dhe më pas kanë votuar në emër të tyre. I ndaluar është edhe një person që ka votuar disa herë duke u lejuar nga këta komisionerë. Të gjithë komisionerët e pranuan akuzën dhe kanë përfituar ulje me 1/3 e dënimit nga gjykimi i shkurtuar.

Tv Klan