Bizneset kërkojnë ulje të çmimeve për marrjen e shërbimit

Bizneset i kërkojnë qeverisë që të rishohë çmimin e shërbimit të pullave fiskale, disa javë përpara se kontrata koncesionare me shoqërinë “Sicpa Security Solution” të përfundojë.

Importuesit kryesorë në treg të mallrave të akcizës dhe medikamenteve mjekësore, në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, shprehen se çmimet e pullave duhet të jenë në të njëjtat nivele që aplikohen edhe në Bashkimin Europian, me qëllim reflektimin e kostove dhe te vlera e produkteve që ata shesin.

“Ne kemi analizuar çmimet e pullave fiskale në rajon dhe në BE dhe konstatojmë që çmimi i pullës fiskale në Shqipëri arrin deri në 10 herë më shtrenjtë se në vendet e sipërpërmendura, duke përbërë kështu një barrë e madhe parafiskale për bizneset tona.”

Bizneset kërkojnë që në rastin e përfundimit të kontratës koncesionare, 10 vjet pas hyrjes në fuqi të saj më 24 Shkurt 2011, qeveria të dizenjojë një skemë më të lirë për kostot e pullave, duke patur parasysh edhe kërkesat e bizneseve.

Aktualisht çmimi i pullave fiskale në Shqipëri varion nga 32 euro/1000 copë për alkoolin, deri në 14.43 euro/1000 copë për ato të ilaçeve, kundrejt një mesatareje mes 5 në 7 euro që kanë vendet e rajonit.

Zyrtarisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka dhënë një sqarim nëse do të ketë shtyrje të koncesionit, rishikim të çmimit të pullave apo nëse shërbimi do të ofrohet nga shteti. Pulla është një element sigurie në mallrat që importohen, i cili tregon se produkti nuk ka hyrë në territor përmes kanaleve kontrabandë.

Tv Klan