Shqipëria humbet një pozicion në renditjen e FIFA-s, rënie dhe Kosova

Dy fitore në tre ndeshjet e para kualifikuese të Botërorit, Katar 2022 i kanë mjaftuar Kombëtares shqiptare për të grumbulluar 6 pikë dhe për t’u pozicionuar në vendin e tretë në grupin I.

Por pavarësisht kësaj, kuqezinjtë e drejuar nga Edi Reja nuk pritet të ngjisin pozicione në renditjen e FIFA-s.

Sipas përllogaritjeve, edhe pse Shqipëria ka fituar 2 ndeshje, ajo do të humbasë një pozicion në klasifikimin e FIFA-s që publikohet javën e ardhshme. Shqipëria gjendet aktualisht e 66-ta, por në renditjen e Marsit do zbresë në vendin e 67.

Sa u përket kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin e saj të eliminatoreve, Anglia do të mbetet në vendin e katërt në botë, Polonia do të zbresë nga vendi i 19 në të 21-tin, ndërsa Hungaria do të ngjitet në vendin e 37 nga i 40-i që mbante para këtyre ndeshjeve.

Andorra do të humbasë 5 pozicione, duke shkuar e 157-a në botë, kurse asgjë nuk duket se e lëviz San Marinon nga vendi i 210, si skuadra më e dobët në botë.

Përfaqësuesja e Kosovës, nuk ka evituar as ajo rënien në klasifikim, pavarësisht se regjistroi një fitore në miqësoren ndaj Lituanisë. Në muajin prill ajo do të jetë në vendin e 121-të, duke humbur 4 pozicione në krahasim me renditjen e mëparshme.

Por këto suksese, meqë ishin ndaj skuadrave të vogla që renditen në vendet e poshtme të klasifikimit të FIFA-s, nuk kanë ndihmuar kuqezinjtë të bëjnë hapa para, duke vazhduar kësisoj një rënie të lehtë.

Klan News