“Na ndihmoni të kthehemi në Shqipëri”

E sëmurë dhe e bllokuar në Greqi. Është kjo historia e Flora Avdullarit nga Pogradeci. 53-vjeçarja shqiptare kërkon ndihmë për t’u kthyer në Shqipëri pasi doganat janë të mbyllura dhe nuk ka mundësi të vazhdojë të qëndrojë në Selanik, aty ku kurohet herë pas here.

Avdullari kërkon ndihmë që ta lejojnë të futet sëbashku me bashkëshortin në territorin shqiptar dhe shprehet se kudo ku ka kërkuar ndihmë nuk ka gjetur zgjidhje.

“Quhem Flora, jam shqiptare, rri në Pogradec. Kam ardhur për vizitë, jam me valvula nga zemra. Kam kërkuar kudo ndihmë askush nuk më ka ndihmuar. Doktorët e këtushëm më kanë kontrolluar, më kanë shtruar dhe tani duan që të më nxjerrin se gjithmonë vij këtu në Greqi se kemi dokumente. Në Shqipëri nuk na lejojnë të futemi. Të lutem nuk kam ku të kërkoj ndihmë përveçse tek juve, se asnjë nuk më ka pyetur, të lutem më ndihmoni të vij në Shqipëri, të hapet rruga, për mua dhe tim shoq”, thotë ajo.

Avdullari tregon se edhe pse ka dokumente greke nuk ka shtëpi në shtetin helen. Përveç shqetësimeve me zemrën, ajo shprehet se ka hequr dy organe, ndërsa merr vetëm një pension invaliditeti dhe ka mundësi të pakta ekonomike.

“Kam aparat vënë, kam dy valvula të ndërruara, kam dy organe  të hequra. Nuk kam shtëpi këtu në Greqi. Jemi si ajo gjethja në erë. Jemi shqiptarë, nuk jemi grekë pavarësisht se im shoq punon 3 muaj këtu që të mbahemi se unë marr vetëm një pension invaliditeti”, shprehet ajo.

Të njëjtën gjë, e ka pohuar edhe bashkëshorti i Florës, Kudret Avdullari. Ai ka treguar për Tvklan.al se kanë shkuar në Greqi me datë 30 Prill.

Mirëpo tani që mjekët i kanë thënë për të dalë nga spitali, nuk ka ku ta çojë bashkëshorten pasi nuk ka shtëpi në Greqi ndërkohë që doganat janë mbyllur.

Ai shprehet se ka kërkuar ndihmë tek konsulli shqiptar në Selanik, por nuk ka marrë zgjidhje.

“Kemi ardhur në Selanik në spital me datën 30 Prill. Tani i kanë thënë për të dalë. Ne këtu s’kemi shtëpi ku të rrimë. Jemi me dokumente greke. Kemi qenë më parë me banim në Greqi, por sëmundja e saj na detyroi te largohemi. Banoj. në Pogradec vetëm me gruan. Tani duam të shkojmë në shtëpi, por nuk na lejon dogana jonë. Ju lutem me dorë në zemër më ndihmoni ta çoj në shtëpi. Pasnesër i thanë të dali. Nuk kam as gjendje financiare të qëndroj. Konsulli i Selanikut nuk më ndihmoi”, shkruante ai në rubrikën “Kallëzo”./tvklan.al