#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave” – Lina vs Arben

“Kujdes shëndetin” – Çfarë duhet të dimë për autizmin

“Ka një mesazh për ty” – Mësimet që të jep humbja

Humbi babain papritur 3 vite më parë, brenga përndjek Albën: Kisha 3 javë pa i dëgjuar zërin

Viti 2024 përkon me 35-vjetorin e njohjes së Albës me “të dashurin e saj” me të cilin sot ka dy fëmijë. Alba ishte vetëm 16 vjeçe kur kuptoi se personi me të cilin ajo ishte dashuruar, do të ishte udhëtari i saj i jetës. Por me kalimin e kohës, vrapin pas jetës dhe punës së përditshme, ajo nuk arriti të grumbullonte momente të mjaftueshme me të atin, i cili ndërroi jetë 3 vite më parë. Kjo brengë që Alba e ndan me “Ka Një Meszh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e shoqëron edhe sot e kësaj dite.


Alba: Vetëm 3 vite më parë unë humba babain tim. E humba në një mënyrë krejt të papritur, pa vuajtur asnjëherë. Vdekja e tij e papritur na shokoi të gjithëve, por ajo që unë përjetoja ditët kur ne e nderonim ikjen e tij, nuk më ngushëllonin fjalët e njerëzve që ai vdiq siç do donte çdokush, pa ndier asnjë dhimbje, në gjumë. Fajësoja veten time.

Ardit Gjebrea: Pse?

Alba: Sepse babi jetonte me vëllain, me nusen, me mamin. Motra kishte një punë afër shtëpisë së prindërve dhe e takonte pothuajse çdo ditë babin.

Ardit Gjebrea: Ti jo dhe aq shpesh.

Alba: Unë me dy djem, me burrin, me familjen…

Ardit Gjebrea: Me punët, me impenjimet.

Alba: U gjenda përpara faktit që kur njerëzit, kur vëllai, motra flisnin për kujtime, flisnin për bisedën e fundit që mund të kishin bërë me babin, unë e gjeta veten pa kujtime me babain tim.

Ardit Gjebrea: Jo aq sa do doje ti se pa kujtime…

Alba: Kisha vetëm kujtimet e fëmijërisë, shumë të ndjera dhe shumë të gjalla. Ama kujtime të rritjes time nuk kisha dhe këtë gjë unë e vuajta dhe vazhdoj ta vuaj.

Ardit Gjebrea: Se u dashurove 16 vjeç. Dashuria ka dhe kosto.

Alba: Nuk e fajësoj veten për këtë gjë pasi mendoj që gjërat bëhen në jetë unë lashë dhe ëndrra të tjera pa përmbushur për shkak të dashurisë dhe familjes, por që gjeta një kohë të dytë për t’i bërë.

Ardit Gjebrea: Shiko, unë nuk dua të të ngushëlloj duke të thënë, por ti gjithmonë ke qenë aty sa herë që babai ka patur nevojë ti ke qenë, kur ti ke patur nevojë ai ka qenë aty…

Alba: Babai im ishte një person që për mënyrën e jetës së tij nuk mbante as telefon, nuk donte dhe ne si vajza që priremi vetëm të telefonojmë nënën, të pyesim për njerëzit në përgjithësi se si janë, unë realisht edhe zërin kisha 3 javë pa ia dëgjuar, është brenga ime kjo.

Ardit Gjebrea: Të ka mbetur.

Alba: Vazhdoj ta ndiej dhe ta vuaj.

Dhimbja e largimit të nënës nga jeta, Alba: Bashkëshorti shkon ende te shtëpia e saj, ushqen zogun…

Humbja e të atit 3 vite më parë, pa patur kohën e mjaftueshme që të krijonte kujtimet e saj me të dhe të përshëndetej si duhet,i ka lënë Albës një brengë të madhe. Një dhimbje të ngjashme bashkëshorti i saj, Adriani e ka përjetuar një vit më parë. Nëna e tij ndërroi jetë për shkak të moshës dhe dhimbja është ende e freskët.

Alba rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se si po e përjeton bashkëshorti i saj, i cili ka patur një lidhje shumë të veçantë me nënën. Ajo e konsideron të pamjaftueshëm ngushëllimin e saj dhe ka bërë përpjekje që gjatë kohës që e ndjera ishte ende në jetë, Adriani të përfitonte nga këto momente për të mos kaluar situatën e Albës. Megjithatë, Adriani ndjek ende disa rituale në kujtim të saj.


Alba: Muajt e fundit ajo zuri shtratin për shkak të moshës dhe pamundësisë dhe Adit iu desh të përkujdesej edhe fizikisht për të, të ishte prezent me gjithçka  që asaj i duhej. Ditë pas dite, gjërat për të rëndoheshin psikologjikisht. Përveçse mbështetjes morale, fizike që ne duhet ta përballonim së bashku, ishte shumë e vështirë të gjeje një frazë ngushëllimi për ta bërë të kuptonte që nëna tashmë kishte marrë një rrugë pa kthim dhe as me fjalë nuk gjeta dot t’ia thoja, por një ditë kur e pashë ashtu të tensionuar, u ula dhe i çova një mesazh. Ndonjëherë edhe telefoni na shërben për një gjë të mirë dhe i shpreha ndjesitë e mia dhe brengën time që nuk pata mundësi t’i shërbej babait tim. I sugjerova që të shihte anën pozitive të kësaj gjëje që po ndodhte. I thashë që tashmë rruga për të ikur është nisur, i thashë mundohu që ti t’i marrësh më të mirën kësaj gjëje, ta quash si një sprovë ndaj Zotit që ti po i shërben njeriut tënd më të dashur. Jo të gjithë fëmijët sprovohen në shërbim të nënës.

Ardit Gjebrea: Asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

Alba: Asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Çfarëdo që të bësh, sikur të rrish prapë 24 orë dhe ato orët  e gjumit ti thua pse i bëra, në momentin që ikën nëna kështu që çfarëdo që të thuash… është një ndjesi…

Alba: E di që ai ende nuk e ka kaluar, sado që nuk e jep veten kanë ngelur ende disa rutina të përditshme të tij, shkon ende te shtëpia e nënës, ushqen ende një zog që ne ia kishim blerë për ditëlindje, hap dritaren të ajroset, vjen prapë në shtëpi, merret me ca gjëra pasditeve kur kthehet nga puna dhe përsëri,  pavarësisht se pësojmë, ne nuk mësojmë.

Përjetimi i Gjebreas pas humbjes së nënës: Ktheja kokën dhe ajo nuk ishte aty. E shita shtëpinë

Nisur nga rrëfimi i Albës në “Ka Një Mesazh Për Ty” e cila tregoi se si bashkëshorti i saj, Adriani po e përjeton humbjen e së ëmës duke u kapur pas kujtimeve të saj, duke vizituar çdo ditë shtëpinë, Ardit Gjebrea ndan një moment personal. 5 vite më parë, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan humbi nënën e tij, një dhimbje që nuk zbehet kurrë.

Por njësoj si Adriani, Gjebrea shprehet se dhimbja e përfshiu kaq shumë për një kohë të gjatë duke i marrë kohë gjithçkaje tjetër të shtrenjtë sa vendosi të shiste shtëpinë, një vendim që i dha mundësinë të dilte nga gjendja e mëparshme.


Ardit Gjebrea: Unë e kam përjetuar vetë sepse unë kam qenë shumë i lidhur me nënën time kështu që e kisha shumë të vështirë kur ikja në mëngjes nga shtëpia dhe dilja nga dera, ktheja kokën dhe kur ajo nuk ishte aty mua e gjithë dita më shkonte në trishtim dhe e përjetova për një kohë të gjatë derisa e shita shtëpinë sepse nuk po e përballoja dot më.

Tani jam shumë më i qetë, kam përjetimet e mia, shkoj, e vizitoj, e mendoj shpesh etj, por ika nga kjo gjëja që ishte pak shumë. Ishte një presion i jashtëzakonshëm që më trishtonte non stop dhe që ndikonte në jetën time, i merrte pak më shumë se ç’duhet edhe dashurisë së fëmijëve, të bashkëshortes, të punës, të gjithçkaje kështu që është aty, është ai engjëlli që më mbron gjithmonë bashkë me babanë tim, por mendoj që ishte një nga veprimet më të mira që bëra dhe do ua sugjeroja edhe juve.

Tre histori për humbjen e njerëzve të dashur, Ardit Gjebrea pikas mysafirin e papritur: Një flutur!

Një ngjarje shumë e pazakontë ndodhi pas hyrjes së Adrianit në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty”. Bashkëshortja e tij, Alba rrëfeu se ajo humbi të atin 3 vite më parë ndërsa nëna e Adrianit u nda nga jeta para një viti. Moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ndau gjithashtu një përjetim personal të humbjes së nënës së tij.

Pas përshëndetjes me Adrianin, ndërsa po kthehej në vendin e tij, Gjebrea u gjunjëzua për të treguar një mysafir të papritur në studio: një flutur. Sipas besimeve të ndryshme, fluturat konsiderohen rimishërim i një njeriu që është ndarë nga jeta.


Ardit Gjebrea: Është një flutur këtu.

Adrian: Flutura… ose ndonjë shpirt që siç e kemi ne zakon që themi që shpirtrat shndërrohen në flutur. Qoftë për mirë!

Ardit Gjebrea: Atë mendova.

Adrian: Edhe për neve, edhe për ju për emisionin.

Ardit Gjebrea: Faleminderit! Është shumë e çuditshme.

Mësime që burojnë nga dhimbja, Alba i përçon një mesazh “të dashurit të saj”

Humbjet, sfidat, momentet e dhimbshme dhe të vështira burojnë mësime dhe përvoja. Ky është qëllimi i Albës, që me ardhjen e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” dëshiron t’i japë bashkëshortit ose”të dashurit”, siç e quan ajo, Adrianit forcë, por edhe t’i kujtojë se ka ende kohë për të vepruar ndryshe.

Të dy kanë humbur njërin prind pak kohë më parë,  por ndryshe nga Alba, Adriani ka patur mundësinë të kujdeset me nënën e tij. Ai e ka ende të vështirë të shkëputet nga kujtimet dhe përmes këtij mesazhi në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Alba i shpreh se mësimi më i mirë që të dy kanë marrë, është t’i japin vetes më shumë mundësi për të ndenjur me fëmijët.


Alba: Adi, ti e di shumë mirë që unë gjithmonë shpirtin e babit e kam identifikuar me një flutur. Edhe kur ndërroi jetë mami,  flutura ishte aty, pra kjo historia e  fluturës qenka gjithmonë e vërtetë. Edhe të doje ta sillje nuk do mbërrinte kështu. Adi, e di që humbja e nënës nuk është e lehtë për t’u kapërcyer por ti pate fatin t’i shërbeje asaj, t’i merrje asaj ndërsa unë në humbjen e babit nuk pata mundësi. Unë nuk pata mundësi si bijë të kisha kujtime me babain tim. Kujtimet për të unë i kam vetëm nëpërmjet fjalëve të motrës, të vëllait dhe fëmijëve tanë të cilët e deshën shumë gjyshin dhe gjetën mundësinë ta takonin. Por ne që pësuam duhet të mësojmë, duhet të mësojmë dhe t’u krijojmë fëmijëve tanë mundësi të kenë ata kujtime me ne. Për ne jeta duhet të vazhdojë duke mbartur kujtimet e  prindërve tanë, por dhe duke u lënë kujtime fëmijëve tanë. E dimë që ata janë të ngarkuar me punë, shpesh ndodh edhe mos t’i takojmë pavarësisht se fati na i ka lënë këtu në Shqipëri, nuk na i ka degdisur rrugëve të botës dhe përsëri…

Adrian: Edhe në Shqipëri ai që do të punojë ka mundësi të realizojë ëndrrën e vet, Shqipëria ka shpresë për ata që duan. Është e vështirë, por ka shpresë.

Ardit Gjebrea: Shiko Adi, nga këto humbje që keni patur ti dhe Alba, cili është konkluzioni që ke nxjerrë?

Adrian: Jeta nuk është fushë me lule dhe martesa, ne vërtet jemi të dashur, por edhe martesa ka ato oshilacionet e veta, por njeriu brenda vetes e gjen atë që t’i sheshojë dhe mbi të gjitha të tregojë dashurinë, mos të shohë atë mangësinë ose defektin te partneri, gjërat e vogla harrohen.

“Ka një mesazh për ty” – Ëndrra e motrës

“Shihemi ne gjyq” – Del jashtë kontrollit, godet kunatin

“Jam i shokuar, u hap një plagë e vjetër”, Xhevdeti përballet me kunatën: Erdhi dita!

Përplasja e javës së shkuar në “Shihemi në Gjyq” midis çiftit Alma-Fatos ku përveç problemeve mes tyre dhe dhunës, u përmendën edhe familjarët e tij, ka sjellë një reagim. Kunati i Almës, Xhevdeti, i cili u përmend në seancën e kaluar të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ka ardhur posaçërisht nga Italia për t’u përballur me të për të gjitha akuzat që ajo ka ngritur kundrejt tij.

Tani porsa kam ardhur nga Italia dhe jam shumë i shokuar për fjalët që janë bërë karshi familjes time, fjalët karshi meje, që unë nuk lejoj askënd të flasë për familjen time. Të tjerat nuk më interesojnë se janë letrat që flasin.”

Pas insertit, Xhevdeti thotë se fjalët e Almës kanë hapur plagë në familjen e tij.


Ardit Gjebrea: Na keni ndjekur me shumë shqetësim javën e kaluar, po?

Xhevdet: Me shumë probleme, përveç shqetësimeve të mëdha në familje për arsye se u hap një plagë e vjetër që ishte në drejtim të mbylljes dhe më krijoi shumë probleme kjo gjë. Jam këtu për të zgjedhur të vërtetën, ku janë, kush jam unë.

Ardit Gjebrea: E qartë, ju thatë që keni edhe dokumentet që mund të vërtetoni gjithçka.

Xhevdet: Posi.

Ndërkohë, Alma ka mësuar se Xhevdeti do ta presë në studio dhe duket e lumtur që do përballet me të.

“Sa mirë që erdhi kjo ditë që të përballem me atë njeri mashtrues që 30 vjet s’më ka lënë gjë pa marrë. Herën e parë s’thashë gjë fare, erdhi dita që të përballem për çdo gjë që ai ka bërë për familjen time. Ka mashtruar dhe ka ngrënë gjakun e fëmijëve të mi”, u shpreh Alma.

“Më është dashur të fshij komente”, Eni Çobani: Askush nuk ka të drejtë të gjykojë jetën e dikujt!

Ngritja e problematikave të ndryshme në”Shihemi në Gjyq” ka ngjallur shpeshherë reagime të forta në rrjetet sociale, disa prej të cilave jo gjithnjë pozitive. Në fjalën e saj hapëse, veç urimit për muajin e Ramazanit, ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani u ndal edhe në këtë pikë.

Çobani u shpreh se i është dashur të fshijë komente në rrjetet e saj sociale dhe tërhoqi vëmendjen për të bërë kujdes me frazat që përdoren kundrejt të pranishmëve në seancat e ndërmjetësimit.


Eni Çobani: Ka qenë një javë që mua më ka marrë  kohën më të madhe në rrjetet sociale. Më është dashur kthej përgjigje, më është dashur, pse jo, dhe të fshij komente. Për këtë iu drejtohem gjithsecilit nga ju, të bëjmë kujdes kur flasim kundrejt njerëzve apo protagonistëve të seancave të ndërmjetësimit. Këta që vijnë deri këtu janë për t’u falenderuar, jo për t’u gjykuar. Asnjëri nga ne nuk ka në ndorë të drejtën për të folur dhe gjykuar mbi jetën e shqiptarëve. Gjithsecili nga këta e dinë vetë hallin dhe problematikën në familjen e tyre por ata marrin përsipër, me kurajë dhe besim, vijnë përpara jush për të thënë të vërtetat e shpirtit të tyre dhe jo për t’i gjykuar ju. Asnjëri nga ju nuk do ketë më të drejtë të gjykojë jetën e asnjërit.

“Kunata më futi shoqen e zemrës në mes të familjes”, Xhevdeti pranon lidhjen jashtëmartesore

Deklaratat se ai ka qenë personi që ka marrë shtëpitë në Itali të Almës dhe Fatosit, nuk janë pjesa që e shqetësojnë Xhevdetin. Arsyeja që e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” përballë vëllait dhe kunatës janë fjalët e kësaj të fundit në lidhje me një raport jashtëmartesor.

Xhevdeti pranon publikisht në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se raporti ka ekzistuar, por ka qenë vetë Alma që e ka nxitur.


Xhevdet: Unë para disa vitesh, kur jetoja në Itali me gjithë vëllain tim që punonim bashkë…

Eni Çobani: Me zotin Fatos apo jo?

Xhevdet: Po, punonim dhe në darkë mblidheshim te shtëpia e tij. Ndërkohë zonja Alma, kunata ime që vetëm zonjë nuk mund t’i thuash por megjithatë nuk ka problem, mblidheshim në darkë te shtëpia e saj dhe më binte shoqen e vet që e kishte shoqen e ngushtë, të zemrës dhe ma futi në mes të familjes. Gjithashtu gabimi im qe që…

Eni Çobani: Po si ta fuste se ti ke qenë madhor?

Xhevdet: Gabova!

Alma: Nuk gaboi moj zonja Eni , ai është gënjeshtar, ai është hajdut moj! Fuste sherrin në familjen! E gjeti gruaja me dashnoren dhe tha është dashnorja e burrit tënd! Ai është rrugaç!

Eni Çobani: Ai po sqaron diçka!

Alma: Po jo moj zonja Eni se s’ka sqarime këtu! Ç’janë këto llafe që bën? Po kur i binte dashnoret te shtëpia ja ku janë fëmijët këtu?

Xhevdet: Fillova një lidhje me këtë vajzën…

Eni Çobani: Që është shoqja e Almës, po.

Alma: S’kam shoqe! Unë nuk bëj shoqe prostituta zonja Eni!

Alma nuk përmban veten, Gjebrea e qorton: “Zonjë e madhe” me këtë fjalor nuk ekziston!

Gjuha e përdorur mes dy kunetërve, Xhevdetit dhe Almës  në “Shihemi në Gjyq” që në minutat e para të rubrikës ka qenë tepër e ashpër. Kryesisht Alma i është drejtuar kunatit të saj me ofendime të njëpasnjëshme dhe shpërthime të forta zemërimi. Pavarësisht kësaj, Alma vazhdon ta quajë veten “zonjë e madhe”.

Situata e nxehtë nxit moderatorin e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrean që të ndërhyjë dhe të kërkojë nga palët, por sidomos nga Alma që të tregohen të kujdesshëm me gjuhën. Ndër të tjera, Gjebrea i shpjegon se deklaratat e tyre në studio nxisin edhe reagimet jashtë saj.


Xhevdet: Për  zonjën Alma nuk është nevoja, e kam kunatë…

Alma: Zonja Alma është zonjë e madhe! Kam ndenjur në një familje të degjeneruar si familja jote! Maskara njeri!

Eni Çobani: Ka ardhur nga Italia, të lutem! Ke ardhur nga Italia moj zonjë, të lutem, brenda natës!

Alma: Të përballem me këtë surrat qeni, me këtë mashtruesin!

Ardit Gjebrea: Më falni pak, në qoftë se i thua vetes…

Alma: Po më ofendon zoti Ardit!

Ardit Gjebrea: Një minutë pak! Në qoftë se i thua vetes “zonjë e madhe”, “zonjë e madhe” me këtë fjalor nuk ekziston! Në qoftë se je zonjë e madhe, me këtë fjalor nuk je! Mund të jesh thjesht një zonjë dhe pastaj epitetet i vënë të gjithë ata…

Alma: Zoti Ardit, po më ofendon!

Ardit Gjebrea: Të lutem, a mund të më dëgjosh? Atëherë, ju jeni një zonjë, pastaj në bazë të fjalorit tuaj epitetet ua vënë të gjithë telespektatorët dhe pastaj ju vjen keq kur ju shajnë në rrjetet sociale dhe pastaj ju vjen keq kur ju fyejnë dhe ju ofendojnë, ndërkohë që ata nisen nga çfarë bëni ju në këtë studio. Në qoftë se ju do ofendoni, pritini ofendimet. Në qoftë se ju do silleni si zonjë edhe reagimi i rrjeteve sociale, do të jetë si zonjë. Sigurisht ka edhe nga ata që gabojnë, por nuk janë në masë. Prandaj sa më shumë të jepni doza fyerjeje dhe ofendimi, aq më shumë do prisni çfarë do të reagohet ndaj jush dhe sigurisht që fëmijët tuaj mërziten kur lexojnë fjalë për prindërit e tyre. Ama, janë perfektë prindërit? Jo. Gabojnë? Sigurisht. Situata jua sjellin që ju të nxeheni? Po. Detyra jonë është që të përmbahemi, prandaj me argumenta dhe me qetësi ju kundërshtoni çfarë thotë zoti Xhevdet, por ju lutem, pa e fyer. A ka mundësi që të japim argumenta dhe me fisnikëri? Kjo do të ishte ëndrra ime në “Shihemi në Gjyq”.

Kaosi pushton seancën, Alma humb kontrollin dhe godet kunatin me shuplakë!

Ofendimet, fyerjet dhe sharjet mes Almës dhe Xhevdetit, kunetërve që po debatojnë me tone të nxehura në “Shihemi në Gjyq” kanë arritur kulmin. Pas çështjes së moralit të Xhevdetit që Alma ngriti gjatë pjesës së parë të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, pjesa vijuese janë pronat në Itali.

Për shkak të gjakrave të nxehur, ndërhyrjeve të shpeshta në fjalitë e njëri-tjetrit, sqarimet e tyre janë të cunguara dhe të paqarta. Në këtë pikë mund të kuptohet vetëm se Xhevdeti ka marrë 35 mijë euro nga Fatosi për të blerë një tokë. Ajo e akuzon kunatin për vjedhje parash.


Alma: E mori në emër të gruas së vet pa pyetur fare! Bleu tokë 35 mijë euro kambiale në bankën e burrit tim që e vodhi zonja Eni. I tha burri im a mund ta blesh në emër të Almës? Unë në emër të Almës? Çfarë të keqe kishte zotëria? Më shiko në sy!!

Xhevdet: Të gjitha të këqijat i kam parë nga ti!

Alma: Ti ke ardhur në familjen time!

Xhevdet: I ke çarë kokën tim ati!

Alma shkon drejt Xhevdetit, e nxehur, e shpërfytyruar duke vijuar me ofendimet e saj. Ajo arrin e tërbuar në bankën e tij dhe në studio dëgjohet kërcitja e një shuplake.

Alma: Hajdut! Se më ke vjedhur! Më ka vjedhur shtëpinë! Unë nuk gnjej!

Xhevdet: Ajo grua që është qelbësirë…

Alma: E shikon si më ofendon?

Xhevdet: Ajo të ishte grua e mirë nuk linte burrin në burg!

Alma: E more vesh? Të mbajta në shtëpi! Të laja fëmijët!

Xhevdet: Donte të më ndante me gruan!

Alma: E shikon si ma ktheu dorën? Për Zotin që është lart gënjen! Më ka fyer moj zonja Eni!

Eni Çobani: Të lutem! Ky burri ka ardhur në besimin tim! Kaq po të them! Ky burri këtu ka ardhur në besimin tim!

“Turp të kesh! Langaraq!”/Gjendja e rënduar e Almës mbyll seancën me lot e ofendime

Fundi i seancës së “Shihemi në Gjyq” nuk  arrin dot  të mbyllet me një gjuhë të vërtetë pajtimi mes palëve. Xhevdeti bie dakord që t’ia japë vëllait dhe kunatës, Almës, me të cilën debatoi në seancë shtëpinë në Itali për të cilën lufta vijon prej

dy puntatash tashmë. Por në mbyllje të rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Xhevdeti thotë se çifti ka vjedhur paratë që ai dërgonte për kujdesin ndaj prindërve të tij.


Xhevdet: Unë për ato prindërit një gjë më vjen keq: që kisha mundësi për të bërë më shumë por nuk bëra se unë i jepja lekë prindërve të mi për t’u ushqyer, zonja dhe zotëria i merrte për të ushqyer prindërit, tokën e kanë, të më kthejnë lekët që kam investuar…

Eni Çobani: Pra ju e mbani amanetin e babait?

Ardit Gjebrea: Është e vërtetë që ju ka sjellë para?

Alma: Djali im e bëri dy herë operacion gjyshin e vet, u bë vjehrri im operacion, e bëri djali im. U bë qivuri i vjehrrit dhe vjehrrës time, djali im pagoi 6400 euro! T’i bie me fakte! Po pse më bën hajdute?

Ardit Gjebrea: Ai ka dhënë kontribute apo s’ka dhënë?

Alma: Po ndoshta ka dhënë e unë nuk di gjë! Po flas për kontributin tim! Unë kam vjedhur thotë!

Fjalët e Xhevdetit e bëjnë Almën të tejkalojë sërish në reagime të ashpra, duke qarë e bërtitur përpara tavolinës së Eni Çobanit.

Alma: Dua drejtësinë tënde! Nuk duroj dot më! Vjen kunati këtu që e kam larë dhe e kam shpëlarë! Nuk duroj dot më! Edhe sot thotë do të të jap pasurinë? Pse s’ia dha më përpara? Dua djersën e fëmijëve të mi!

Gjebrea njofton mbylljen e seancës dhe vijimin e saj në privatësi nga Eni Çobani. Ndërkohë kjo e fundit është duke u përpjekur të qetësojë Almën që ka humbur kontrollin sërish dhe vijon të ofendojë kunatin e saj.

Alma: Turp të ketë! Po nuk e duroj dot më! Vjedh nënën! Kush ia lante nënës çorapet moj zonja Eni?  Vjehrra ime jetoi në shtëpinë time! E mbajta unë! Turp të kesh! Langaraq!

“Të Panjohurit” – Silva Hoxha

/tvklan.al