E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 28 (SEZONI 11)

E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 28 (SEZONI 11)

22:32 07/04/2019

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Kur Donika njohu bashkëshortin mbi 20 vite më parë nuk i’a merrte mendja kurrë që ai që u hoq si mjek në fakt do bëhej shpirti i saj binjak. Një dashuri mes Egjiptit dhe Shqipërisë që i rezistoi shumë intrigave dhe vështirësive, por që tashmë po rrezikohet nga largësia. Sot ajo do i japë një mesazh Mohamedit, djalit të saj pasi pavarësisht moshës duket se ai ka në dorë të ndryshojë disi fatin e kësaj historie…

“Historia ime ka filluar në vitin 1993. Kur shkova në ambulancë për një vizitë dhe atje ishte një doktor egjiptian, aty ishte dhe një tjetër që nuk ishte doktor, por u prezantua si mjek dhe më vizitoi. Duhet të vish nesër prapë dhe të marrësh një fasho dhe vaj ulliri për krahun. Unë shkova përsëri dhe më thotë të dalim për kafe, jo i thash unë, po do hajde në shtëpi, por unë iki para ai erdhi pas meje. Kur u thosha shqiptarëve hajde në shtëpi iknin se unë kisha dhe katër vëllezër. Ai fliste shumë pak shqip, por unë e kuptoja shumë mirë. Shkuam në shtëpi, më pyesin se kush ishte, por unë nuk e njihja. Erdhën vëllezërit, babai dhe më thanë ti vetëm thuaj jo dhe merremi ne, por mua nuk më linte sedra, ai erdhi në shtëpi dhe më dukej e rëndë që ta refuzoja. Shumë politikë nga shtëpia, por unë pranova, kjo është e shkruar për mua dhe kështu do ndodhi, vendosa të lidhem me Emadin. Nga familja më thanë se po të doli keq nuk ke më punë në shtëpi, u fejuam dhe ai iku në Itali, tre muaj pa folur në telefon. Gjatë kësaj kohe familja kërkonin të më fejonin me ndonjë dhe të harroja Emadin. Unë i shkrova një letër në shqip që të më merrte në telefon një herë nëse donim të vazhdonim. Sa mori letrën direkt telefonoi, por unë isha në spital tek mbesa dhe foli në telefon me vëllain që i tha se është në spital. Ai kujtoi se mos kisha bërë unë ndonjë gjë vetes nga dashuria për atë dhe të nesërmen vjen në shtëpi. Pas 4 muajsh u martuam, pas tre ditesh martesë shkuam në Egjipt dhe kishte dal familja e tij të na priste. Kur shkova në Egjipt më thonin europiania, sepse nuk isha e mbuluar. Atje isha në mes të luksit, por isha shumë e lidhur me familjen dhe u ktheva. Ai ishte tregtar këtu dhe bënim një jetë të mirë. Kam dy vajza, Seham dhe Uarda dhe djalin Mohamed. Sa erdhi në jetë djali nisën konfliktet me familjen e tij. Kur ke vajza pasuria ndahet ndërmjet vëllezërve dhe motrave, ndërsa kur ke djalë pasuria i mbetet atij. Vjehrri i bëri një pallat 6-katësh djalit që lindi. Unë nuk ndërhyj në marrëdhënien e tij me familjen, por i thoja Emadit që shikoj shumë shtirje. Në një moment ai pësoi aksident në makinë bashkë me Mohamedin. Ata të dashurit e Emadit u larguan dhe një gotë ujë nuk i dhanë.

Çdo gjë e kalova vetëm, por Zoti njeriun e drejtë e ndihmon, vonon, por nuk harron kurrë. Më vonë vjen një letër, sepse vjehrra nuk kishte paguar detyrimet ndaj shtetit pasi i kishte shitur pasurinë e djemve. Ajo mendoi më të keqen për djalin e saj, Emadin. Doktori nuk i kishte dhënë shpresa Emadit, por dy ditë pas aksidentit të tij vdes vjehrri… Sot kam sjell djalin, sepse burrit tim i është refuzuar viza për në Shqipëri. Unë, Mohamedi dhe vajzat jetojmë këtu, sepse djali ftohtësinë e familjes së burrit ndaj meje nuk e duron dot, kjo ka nisur që në moshën 7-vjeçare. Muhamedi tani është 12 vjeç, por që i vogël thotë jam shqiptar dhe nuk do të ikim në Egjipt, sepse ka gjithë shoqërinë këtu…”

Në një familje të shëndoshë çdo pjesëtar i saj ka një rol të rëndësishëm në vendimmarrje. Shpresojmë shumë që Donika të bashkohet së shpejti me bashkëshortin e saj dhe Mohamedi të rritet pranë të dy prindërve.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

12 vite më parë, Zhuljeta ka humbur aksidentalisht bashkëshortin. Ajo i rriti e vetme tre fëmijët e saj, por vështirësinë më të madhe e pati me Anxhelën pasi që në lindje, kuptoi se ajo ishte me aftësi ndryshe. Por tani që është rritur dhe është maturante e pret të vazhdojë universitetin ka deshirë që t’i japë kurajo për të vazhduar përpara. Ajo nuk e di që pjesë e këtij mesazhi do bëhen dhe miqtë e Anxhelas dhe një personazh shumë i dashur për të…

“Burri bleu një varkë pasi ishte peshkatar në liqenin e Pogradecit. Mori benzinë, por ishte e turbullt dhe e kullonim në kuzhinë. Ai vjen në shtëpi, kishte ethe dhe i them të vendosë rezistencën pa u menduar, shpërthen flaka. Shkova në spital, por gjatë kësaj kohe isha shtatzënë. Doktori më thotë je rëndë, e lind vajzën 8 muajshe dhe ndërron jetë. Pa menduar që antibiotiku vazhdonte ndikimin në trupin tim duke dashur një vajzë. Më vonë lind Anxhela pa gjymtyrë dhe doktorët, infermieret më thonë mos i jep për të pirë dhe do vdesë, por unë mora vëllain dhe dal nga spitali. Fëmijët qanin dhe më thoshin e kemi motër, do kujdesemi ne për atë. Një ide ishte ta linim në jetimore, Shkodra ishte larg dhe doja ta shikoja sa herë të doja dhe shkuam në Korçë. Aty njëri nga djemtë ulet në gjunjë dhe kërkon të mos e lëmë motrën në jetimore. Vendosëm ta mbanim dhe kthehem në shtëpi, fëmijët më pushtuan me lot gëzimi në sy. Burri punonte në peshkim dhe vajza filloi të ecte me paterica dhe proteza. Në Nëntor, burri u mbyt në liqen, Anxhela nuk eci më dhe u mbyll në dhomë. Ika azilante në Gjermani me shpresën që asaj t’i vendoseshin proteza dhe ajo do ecte. Ishte gjithçka gati, na transferuan në një qytet tjetër, u pranua azili, por më pas na vjen një letër tjetër që nuk pranoheni, sepse Shqipëria nuk është një vend në krizë ekonomike…”

Në studion e programit “E Diela Shqiptare” vijnë edhe miqtë e Anxhelës, të cilët tregojnë se miqësia e tyre do vazhdojë, edhe pse do marrin degë të ndryshme në universitet. Ata gjithashtu tregojnë se asaj i pëlqen shumë muzika dhe këngëtari i preferuar është Elgit Doda, i cili ka ardhur për t’u bashkuar surprizës së “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Ardit Gjebrea: Çfarë mendove teksa dëgjoje ?

Elgit Doda: Po dëgjoja historinë edhe asgjë nuk është për t’u mëshiruar. Kjo vajzë është forcë për çdo njeri që e shikon, inspirim dhe ndjeshmëri të lartë.

Elgiti maskohet si kameraman i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe i afrohet Anxhelës për ta surprizuar, e cila përlotet sapo e shikon.

Anxhela është një shembull frymëzimi për mirësinë dhe karakterin që ka. Sot ajo kishte afër njerëzit më të dashur të zemrës nga familja, shoqëria dhe nga bota e spektaklit. Elgit Doda & Ilger i bënë akoma më të bukura dhe reale emocionet e Anxhelës e të pranishmëve në studio.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN!

“TELEBINGO SHQIPTARE”

POWER KIDZ 5!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Manushaqja dhe Enveri janë nga qyteti i Lushnjes. Ata janë motër e vëlla, të dy të divorcuar dhe ndajnë një shtëpi dy katëshe. Arsyeja përse ishin këtë të diel në rubrikën “Shihemi në Gjyq” ishte pikërisht kjo pronë, e cila ndodhet në një truall ku bashkëpronarë janë edhe xhaxhallarët e tyre.

Në këtë shtëpi dy katëshe, katin e parë e ka ndërtuar zoti Enver me të ardhurat e tij nga emigracioni. Katin e dytë e ka bërë vëllai i tyre i ndjerë, i cili ka vdekur para prindërve të tij dhe e ka lënë amanet, që shtëpia do t’i ngelet atij që do t’i shërbejë prindërve. Ky person është pikërisht Manushaqja, e cila aktualisht jeton në katin e dytë. Por ajo thotë se vëllai po e nxjerr jashtë, sepse po e vendos këtë kat në emrin e tij dhe jo vetëm kaq.

Ajo shkon edhe më tej dhe pretendon se vëllai ia ka dhënë gjysmën e shtëpisë djalit të xhaxhait, pretendim ky që në fakt gjatë seancës bie poshtë.

“Meqenëse se ka qenë një ndërtim pa leje, Enveri duke qenë pronar i katit të parë ka pasur të drejtën të shkojë të aplikojë pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t Lushnje dhe këtë ka bërë, duke e vënë shtëpinë në emrin e tij. Manushaqja me të drejtë thotë për çfarë arsyeje shkon Enveri dhe bën një aplikimit të tillë ndërkohë që kam jetuar unë me prindërit? Në fakt në kohën që prindërit ishin gjallë, mund ta bënin ata këtë aplikim“, tregon juristja Eni Çobani, e cila e pyet zotin Enver për arsyen se përse aplikoi në emër të tij, edhe për katin e dytë të banesës, ndërkohë që pranon këtë kat e ka bërë vëllai i tij?

Vetë zotëria nuk di të japë një përgjigje të qartë për këtë dhe kjo bën që edhe në studio, mes tij dhe së motrës të kishte debate e akuza.

Enver Haxhiu: Po boll moj se ma çave… se ma ke enjtur kokën. Mirë ti, po të gjithë kundra meje, me komshinj, me kushërinj, sikur kam vrarë gjithë Lushnjen. Unë s’kam vrarë njeri i shkreti… edhe pasurinë e kam vënë me djersën time.

Manushaqe Haxhiu: Ky është i ligu i shtëpisë dhe i miri i botës…

Si Manushaqja edhe Enveri kanë problematika shumë të mëdha. Të dy vijnë nga dy divorce, Manushaqja ka edhe një vajzë, ndërsa Enveri është komplet vetëm.

Manushaqja ka shërbyer tek prindërit, por nuk ka kontribut financiar në banesën dy katëshe. Nga ana ligjore, në fakt kjo pasuri ka qenë e vëllait, i vdekur para prindërve. Në bazë të ligjit, pasuria duhet t’i kalonte detyrimisht të dy prindërve gjallë dhe pas vdekjes së tyre të gjithë motrave dhe vëllezërve.

“Zonja thotë që kjo gjë më është thënë me gojë nga motrat që ma kanë falur, por me letër nuk ka gjë, sepse zoti Enver ka bërë një shtëpi në vitin 1992, e ka regjistruar në vitin 1994 dhe sot në fakt nuk ka një certifikatë pronësie të kësaj banese, të rinovueshme, sepse i mungon një dokument. Por besoj se do ta bëjë shumë shpejt, sepse është pranuar njëherë që kjo shtëpi është e Enverit”, sqaron juristja Çobani.

“Tani, unë nuk kam dokumente që kjo banesë t’i ketë kaluar njeriu tjetër, me një emër të caktuar. Kështu që Enver, ti sot në këtë seancë je pronar vetëm i katit të parë. Ke bërë një aplikim për katin e dytë, në katin e dytë jeton vetëm Manushaqja. Marrëdhënia juaj është shumë e acaruar, nuk komunikoni më. Në këto kushte që jemi dhe pranoni që e ka bërë vëllai katin e dytë, nesë ju do të bëheni pronar i katit të dytë, çfarë keni bërë ndërmend të bëni me këtë pronë?”

“Zonja Eni unë këtë pasuri unë do t’ia dhuroj dikujt që do të më shërbejë mua në moshë pleqërie…, përgjigjet zoti Enver.

Manushaqja pretendon se shtëpia do t’i shkojë djalit të xhaxhait, por juristja Çobani thotë se nuk disponon dokumente që ta vërtetojnë këtë.

“Unë po të them vetëm një gjë, shtëpia njëherë do të regjistrohet në origjinë. Trualli dhe banesa në origjinën e zotit Mexhit (gjyshi). Pas Mexhitit do të bëhet pjesëtimi në emër të djemve të Mexhitit. Ajo pjesa takuese e zotit Haxhi, do të pjesëtohet në emër të 7 fëmijëve të Haxhiut dhe të gjithë këta fëmijë që do të ta lenë ty pasurinë, bashkë me ty dhe Enverin përpara një noteri të ta dhurojnë pjesën dhe të marrësh pjesën takuese. Ndërkohë, zoti Enver në aplikimin që ka bërë në katin e dytë, mendimi është i imi, por vendimi është i atij, të fusësh brenda aplikimit edhe zonjën Manushaqe”, thotë Çobani, kërkesë që duket se pas shumë debatesh u pranua nga zoti Enver.

Enver Haxhiu: Dakord Zonja Eni.

Në këto kushte, juristja Çobani i kërkoi Manushaqes që të ndihej e qetë, ndërsa nuk la pa vlerësuar sakrificën e saj të madhe për t’i qëndruar pranë deri në momentin e fundit prindërve.

“Rri e qetë, ti ke bërë një vepër të jashtëzakonshme që duhet ta bëjë çdo fëmijë në fakt. E kemi detyrë dhe përgjegjësi si fëmijë që t’i rrimë afër prindërve. Bravo që i ke qëndruar pranë. Shumë shpejt do ta kesh edhe banesën. Unë e kuptoj që Enveri është i penduar edhe për shumë veprime që ka bërë”.

BE coffee!

Të ngjashme
UKT