#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #enicobani #shiheminegjyq #tvklan #edielashqiptare #proces #borxh #16vite #nenebije

“Jam nënë e braktisur”, Kristina e përlotur përqafon Gjebrean/E bija refuzon të bëjë të njëjtën gjë

Seanca e radhës në “Shihemi në Gjyq” nisi tërësisht ndryshe. Kristina përballet në “Shihemi në Gjyq” me vajzën e saj, por në insertin prezantues të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo nuk zbulon shumë gjëra.

“Jam një nënë e vetme. Kam 3  fëmijë.bashkëshorti më ka vdekur. Pas vdekjes së bashkëshortit më ka ndodhur një problem shumë i madh”.

Pasi hyn në studio, Kristina e përlotur i bën një kërkesë të veçantë Ardit Gjebreas që e çel seancën me një përqafim mes tyre.


Kristina: Përpara se të ulem në këtë karrige, unë dua të flas dy fjalë për ju zoti Ardit.

Ardit Gjebrea: Për mua?

Kristina: Po.

Ardit Gjebrea: Pse?

Kristina: Kam dëgjuar që kur flet për nënën, ti qan. Kurse unë jam një nënë e braktisur.

Ardit Gjebrea: Një nënë e braktisur.

Kristina: Mundem?

Ardit Gjebrea: Po më vika shumë keq. Më lër të të përqafoj pak.

Kristina: Faleminderit!

Pasi në studio bashkohet edhe Ilirjana, vajza e Kristinës, kjo e fundit i kërkon me ngulm një përqafim por vajza refuzon kategorikisht.

Kristina: Hajde të të përqafoj moj bijë!

Ilirjana: Jo!

Ardit Gjebrea: E përqafova unë dhe nuk e përqafon ti?

Ilirjana: Jo, jo.

Kristina: Kam një vit e gjysmë që nuk të kam parë. Të lutem!

Ilirjana: T’i lëmë komeditë.

Kristina: Të lutem, hajde të të përqafoj. Më ka marrë malli moj!

Ilirjana: Nuk mundem, nuk mundem. Për kapriçot e tua kam ardhur nga ana e anës me 100 halle, me 100 probleme.

Kristina: Çfarëdo halli që të kesh, jam nënë!

Ilirjana: Komeditë t’i lëmë!

“Më ke dërguar një letër tronditëse!”/Vajza i kërkon nënës t’i shlyejë borxhin: Shit shtëpinë!

Një shumë parash ka ndërhyrë në raportin nënë e bijë. Kristina i kërkon vajzës së saj, Ilirjanës në “Shihemi në Gjyq” me të cilën nuk është takuar prej më shumë se një viti që mos ta braktisë. Nga ana tjetër, Ilirjana ka ardhur në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me një qasje shumë të ftohtë ndaj nënës.

Kristina thotë se vajza i ka dërguar një letër ku i kërkon që deri në fund të prillit t’i shlyejë borxhin. Ilirjana thotë se është e detyruar pasi për shkak të vështirësive ekonomike dhe pamundësisë për të shkolluar vajzën, i nevojiten paratë.


Kristina: Vajzë, ti më ke sjellë një letër shumë tronditëse!

Ilirjana: Do të të sjell të tjera, edhe shumë të tjera do të të sjell.

Kristina: Jo… ti je vajza ime, nuk do të më braktisësh kurrë!

Ilirjana: Nuk ke vetëm vajzë, ke edhe dy fëmijë të tjerë. Nuk jam vetëm unë!

Kristina: Lëri fëmijët e tjerë!

Ilirjana: Përse t’i lësh? Je nënë e tre fëmijëve!

Kristina: Ti më ke thënë që do të të pleqëroj!

Ilirjana: Të pleqërosh, të kam shkruar letrën dhe e di shumë mirë se pse të kam shkruar.

Kristina: Bijë, atë letër që më ke shkruar ti unë nuk e shoh dot, e kam futur nën jastëk.

Ilirjana: Poshtë dyshekut, poshtë jorganit, ku të duash t’i vësh.

Kristina: Nuk të përgjigjem për atë letër që më ke dërguar.

Eni Çobani: Kristina, çfarë ka ndodhur të lutem?

Kristina: Ajo kërkon që unë të shes shtëpinë dhe t’i jap një borxh që ia kam marrë që në 2013-ën.

Ardit Gjebrea: Kujt i ke marrë borxh?

Kristina: Vajzës.

Ardit Gjebrea: Ku ka borxhe për nënën? Si mund të ketë borxhe për nënën?

Ilirjana: E di po unë ç’të bëj? Ç’të bëj zonjë, ç’të bëj? Ku të shkoj, jam me 100 halle? Kam një burrë invalid, vajzën 20 vjeçe, nuk  po mundem t’i jap shkollë, ta shkolloj.

Kristina: Unë jam nënë.

Ilirjana: Edhe unë jam bijë. Ç’të bëj? Po falimentoj. Zonjë e dashur, po falimentoj! Unë nuk mundem më të pres! Të kam pritur boll! Të kam pritur shumë! Nuk të pres më!

Eni Çobani: Ilirjana, i ke vënë afat nënës ti se s’po  të kuptoj? I ke vënë afat nënës?

Ilirjana: Po. Në fund të prillit, dua borxhin.

Në rast se nëna nuk i kthen dot borxhin, Ilirjana i thotë se do të shesë shtëpinë që të mund të marrë paratë.

Ilirjana: Unë doja ta regjistroja vajzën, prisja që të më paguhej borxhi dhe unë të regjistroja vajzën në shkollë. Nuk e regjistroj dot, jam e falimentuar. Mua ato para nuk m’i kanë falur.

Kristina: Po çfarë faji të kam moj vajzë?

Ilirjana: Zonjë e dashur, unë paratë nuk i gjej në rrugë.

Kristina: Unë shtëpinë nuk e shes.

Ilirjana: Do ta shesësh.

Kristina: Ashtu siç e ka ajo letër, unë nuk të përgjigjem dot ty..

Ilirjana: Do ta shesësh sepse unë jam bashkëpronare.

Kristina: Sa të jem unë gjallë jo.

Ilirjana: Atë do ta shikojmë! Përderisa unë jam bashkëpronare, do ta shes!

Eni Çobani shprehet e emocionuar: Pas humbjes së babait kuptova që nënën e kisha një thesar!

Një moment reflektimi dhe thirrjeje ndodhi në “Shihemi në Gjyq”. Pas shpjegimit të Eni Çobanit se Kristina me ndjekjen e gjyqit 16-vjeçar me motrën e saj do të mund t’i përfitojë pronat e dhuruara të babait që i takojnë me të drejtë si dhe që shtëpia bashkëshortore në Lezhë nuk mund të shitet nga vajza, Ilirjana, pati edhe edhe një kërkesë për këtë të fundit.

Deri në këtë moment, Ilirjana është treguar tepër e ftohtë ndaj nënës duke e quajtur “zonjë” dhe as nuk ka pranuar t’i afrohet e ta përqafojë. Në disa fjalë të saj, u kuptua që Ilirjana ruan mëri të vjetra ndaj Kristinës.

Ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan theksoi rëndësinë e nënës dhe sa ka ndryshuar ky koncept pas humbjes së të atit 9 vite më parë. Çobani e quajti veten me fat dhe e këshilloi Ilirjanën, e cila po ashtu ka humbur të atin, që të bënte të njëjtën gjë.


Eni Çobani: Ilirjana e dashur, unë sot ty nuk të flas si Eni juriste, unë të flas si Eni vajzë që kemi pasur fatin e keq që na është larguar mua 9 vjet përpara, juve 3 vjet më parë një prind shumë i dashur dhe i nderuar si babai, por ta quajmë veten me fat që kemi nënat gjallë. Nëna është e jashtëzakonshme! Nëna është një dashuri e jashtëzakonshme që në fakt Ardit, pas ikjes së babait e kam kuptuar më shumë. Pas ikjes së babait unë kam kuptuar që kam pasur një thesar në fakt, por kaq e madhe ka qenë dashuria ime për babain, jo që nuk e kam vlerësuar, por s’e kam parë ndoshta aq të plotë, ndërkohë pas ikjes së babait unë e quaj veten me fat që kam nënën akoma gjallë dhe e dua pafund dhe e përshëndes dhe uroj ta kem sa më gjatë në jetë.

Gjebrea lexon mesazhin e bashkëshortes/’Thyhet’ Ilirjana, ndodh përqafimi i pajtimit mes nënë e bijë

“Shihemi në Gjyq” u mbyll me një moment si asnjëherë më parë. Gjatë gjithë seancës, Ilirjana qëndroi tepër e ftohtë ndaj nënës së saj duke refuzuar çdo kontakt fizik me të.

Në përpjekjen e tij të fundit për të pajtuar nënë e bijë, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan lexoi një mesazh të dërguar nga bashkëshortja e tij që i përshtatej më së miri situatës. Mesazhi flet pikërisht për lidhjen nënë-vajzë dhe shkakton një përlotje të menjëhershme te të gjithë të pranishmit.


Ardit Gjebrea: Dhe vjen një ditë që e dëgjon veten të flasësh si ajo, të bërtasësh si ajo, të këndosh si ajo, të japësh mësim si ajo, të kërcesh  si ajo, të qash si ajo. Dhe vjen një ditë kur ato këpucët e mëdha që aq shumë i ke provuar, të bien fiks dhe ti mund të përshkosh gjurmën e saj dhe pas çdo hapi arrin të kuptosh gjithçka që dikur kritikoje dhe kupton kufijtë, sfidat, zemërimin, shqetësimin, frikërat dhe e falenderon që ishte atje për të qëndruar pranë teje, për të  të ruajtur,  për t’u kujdesur dhe falenderon mundësimet e saj,  sakrificat e saj, kohën e saj. vjen dita kur shihesh në pasqyrë dhe sheh atë sepse ne kemi qenë disa muaj brenda saj, por ti do të jesh gjithmonë brenda nesh.

Eni Çobani: Na bëre të lotojmë!

Më në fund, duket se përpjekja e Gjebreas arrin të ‘thyejë’ barrierën e Ilirjanës që menjëherë shkon te nëna dhe i jep përqafimin e shumëpritur.

Kristina: Po ti je vajzë, ti je vajza ime që do të më pleqërosh! Nuk kam tjetër! Nuk kam tjetër shpresë në këtë botë!

/tvklan.al