“Gruaja zbriti nga kati i dytë me çarçaf në 3 të mëngjesit”, Nikolini tregon si e gjeti veten të arrestuar

Nikolini, i cili vjen në “Shihemi në Gjyq”  për një konflikt me motrën, Besianën thotë se nuk ka gjetur qetësi që prej vitit 2021. Ai nis të tregojë për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se është divorcuar për shkak të diskutimi verbal.

Më tej, ish-gruaja ka dalë nga shtëpia në orët e para të mëngjesit duke përdorur një çarçaf, ka hyrë në shtëpinë e fqinjit dhe ka telefonuar policinë që ka arrestuar Nikolinin.


Nikolin: Që në 2021 unë kam qenë i martuar dhe jam i divorcuar. Problemet kanë nisur për një debat komplet verbal që nuk meriton të diskutohet dhe bashkëshortja ime më bëri një denocnim në Policinë e Rrethit Mat, të cilët më arrestuan dhe zonja për t’u viktimizuar se gjoja unë isha person i rrezikshëm dhe kisha bërë gjithë këto rrezikshmëri në familje, unë ia kam plotësuar të gjitha kushtet asaj dhe gjithë pjesëtarëve të mi të familjes, ka zbritur nga kati i dytë me çarçaf në tokë, zonja, për t’u viktimizuar se nuk e kishte nga kushtet.

Eni Çobani: Në çfarë ore të lutem, me çarçaf?

Nikolin: Me çarçaf ka zbritur rreth orës 3 të mëngjesit.

Eni Çobani: Ju ishit në gjumë të gjithë?

Nikolin: Unë isha në gjumë, e lamë si debat. Unë i kërkova një sqarim ç’është kjo përgjigje moj zonjë thashë unë që më tha “nuk jam shërbëtorja jote”. Po unë që jam gjithë ditën në punë me beton? “E ke për detyrë se je kryefamiljar”.

Eni Çobani: Dhe vetëm nga kjo fjalë zonja shkon, bën një urdhër mbrojtjeje dhe ti përfundon në burg. Po ti ku e kishe gojën se më fal tani?

Ardit Gjebrea: Po pse duhet të zbriste ajo, kishe mbyllur derën me çelës ti?

Nikolin: Dera ishte e hapur, për t’u viktimizuar se ajo ka thënë edhe në polici kisha frikë se më dëgjonte e nuk më linte të dilja. Largohet nga banesa, shkon te komshiu afër që nuk i kemi marrëdhëniet e mira historikisht me ta për konflikte pronash se të parët e kështu, dhe njofton policinë. Në orën 5 të mëngjesit arrestohem në komisariatin e policisë Burrel.

Ish-gruaja e futi në burg, por sërish tentoi të shpëtonte martesën: Respektoja kanunin

Në vitin 2021 Nikolini u arrestua nën akuzën e bashkëshortes për “dhunë në familje”. Siç shpjegoi në “Shihemi në Gjyq”, një mbrëmje debatoi me ish-gruan, më pas në  orën 3  të mëngjesit ajo zbriti nga kati i dytë me çarçaf dhe shkoi në shtëpinë e fqinjit me të cilin nuk kishin marrëdhënie të mira. Nga aty ka telefonuar policinë dhe ka thënë se është dhunuar, gjë që ka sjellë arrestimin e Nikolinit dhe dënimin e tij me 16 muaj burg.

Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani përmend edhe një detaj tjetër. Pavarësisht gjithçkaje, Nikolini ka provuar sërish që ta shpëtojë martesën dhe të mos shkojë drejt divorcit. Ai ka dërguar njerëz në shtëpinë e ish-vjehrrit, Simon Lleshit që të gjenin gjuhën e përbashkët.


Nikolin: Në bazë të kanunit, siç kishim bërë miqësinë se kur u njoha me të më tha “jam me kanunin, nuk ta jap për kafe që të dalësh të pish kafe, nuk ta jap për festa, nuk ta jap për raste të tilla kështu, veç kur ta marrësh njëherë e mirë”. Me kanun, unë i ndenja se e njihja edhe unë.

Ardit Gjebrea: Pra në qoftë se vjehrri ia dha me kanun, u detyrua që të respektonte edhe kanunin.

Nikolin: Në këtë rast që më ndodhi mua, zotëria nuk më përgjigjet as me kanunin, as me ligjin, as si burrëri, në asnjë lloj drejtimi.

Ardit Gjebrea: Po çfarë bëri?

Nikolin: Nuk më jep përgjigje. Unë i kam çuar njerëz, edhe gjatë kohës që isha në burg, i kam çuar njerëz të merremi vesh, të pajtohemi, nuk m’i ka pranuar.

“Më kthe sendet e mia ose një pjesë të shtëpisë”, Çobani i pret hovin Besianës: Harroje!

Besiana i kërkon vëllait të saj, Nikolinit që t’i kthejë sendet e saj që ajo kishte lënë në shtëpinë e tij. Sipas shpjegimit të tyre në “Shihemi në Gjyq”, sendet qëndronin në një dhomë në shtëpinë e Nikolinit dhe janë marrë nga ish-bashkëshortja e tij.

Eni Çobani, ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan theksoi se ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur Nikolini shlyente dënimin me burg pasi u akuzua nga ish-bashkëshortja për dhunë në familje. Besiana thotë se gjithsesi përgjegjësia i mbetet atij dhe kërkon që vëllai t’i japë 15 mijë euro si dëmshpërblim ose shtëpinë, por merr një përgjigje të prerë nga Çobani.


Eni Çobani: Shtëpinë njëherë harroje se nuk e merr. Jo, shtëpinë nuk e merr ti.

Besiana: Do ta marr me ligj.

Eni Çobani: Shtëpinë e këtij punëtorit këtu që e ka bërë atë tullë më tullë ti nuk e merr, ti nuk e merr atë shtëpinë. Ato kutitë që i ke pasur të mbyllura ti dhe që s’e dimë se çfarë ke pasur brenda, as ato, prit njëherë do na thuash çfarë ke pasur brenda, do të shkojmë te Simon Lleshi dhe Simon Lleshi po na ndjek.

Besiana: Po, do t’i them të gjitha.

Më pas, Çobani iu drejtua ish-vjehrrit të Nikolinit, Simonit duke i bërë thirrje të kthejë sendet e Besianës.

Eni Çobani: Simon, me gjithë respektin, pavarësisht se nuk të njoh, në qoftë se ke marrë gjëra që nuk i takojnë vajzës tënde, Elisabeta Lleshi, të paralajmëroj për t’i kthyer ato në banesën ku i ke tërhequr dhe nga ai moment t’i dorëzohen zonjës që pretendon që i ka të vetat.

Besiana: Po ka 3 vite zonja Eni që ato janë përdorur, ato tani nuk bëjnë më. Lekë i dua. Zonja mund t’i ketë përdorur ato. Nëse ato janë të reja, në kuti ashtu siç unë i kam lënë, ashtu do t’i marr, përndryshe unë i dua në vlerë leku nga zonja Elisabeta ose zoti Simon Lleshi ose nga zotëria këtu.

Eni Çobani: Atëherë provoje! Të bie barra e provës! Provo mallin që ke çuar. Kaq.

/tvklan.al