Mëngjese dhe mbrëmje të freskëta, termometri do të shënojë -5 gradë Celsius

Dita e mërkurë do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave me disa gradë, madje termometri do të shënojë vlera negative.

“Nga mëngjesi i ditës së mërkurë presim që vlerat minimale të zbresin në -2 ose -3 në zonat malore. Dita e enjte meqenëse sjell kthjellime do të kemi sërish rënie tempereaturash gjatë mëngjesit ku temperaturat do të bien deri në -5 gradë celsius”, tha Adiola Bani.

Nuk do të mungojnë as rrebeshet afatshkurtra të shiut dhe dëbora kryesisht në zonat malore.

“Do të kemi fuqizim të vranësirave fillimisht në zonat veriore dhe veri-perëndimore me rrebeshe shiu afatshkurtra të cilat gjatë natës do të përfshijnë të gjithë territorin. Në zonat malore mund të ketë reshje të dëborës”, tha meteorologia.

Sipas Meteoalb fundjava do të jetë me vlera tipike të muajit Mars.

“Gjatë fundjavës termometri do të ngjitet sërish në 18 gradë Celsius”, u shpreh Bani.

Meteorologët sqarojnë se Marsi është muaj i surprizave sa i përket ndryshimeve të shpeshta të motit, edhe pse Pranvera do të ketë ditë të ftohta tipike të dimrit.

Klan News