E ndanë nga djali i porsalindur dhe një vajzë iu mbyt në përrua, Lule Doçi flet për jetën e zymtë



E ndanë nga djali i porsalindur dhe një vajzë iu mbyt në përrua, Lule Doçi flet për jetën e zymtë

15:53 17/01/2021

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare ka qenë një grua që quhej Lule Doçi e cila ka vuajtur shumë në jetë dhe është përballur me situata mjaft të vështira. Ajo është detyruar të braktisë fëmijën e saj kur ishte vetëm 16 vjeç në shtëpinë e fëmijë, më pas martesat e saj nuk kanë shkuar mjaft mirë. Sikur të mos mjaftonin këto, ajo ka humbur dhe një vajzë në moshën 6-vjeçare të cilën e rrëmbeu përroi dhe e gjetën pas 5-6 ditësh.

Ardit Gjebrea: Aty jetove me djalin?

Lule Doçi: Aty jetova 2 muaj e gjysmë me djalin.

Ardit Gjebrea: Si e kujton djalin?

Lule Doçi: Unë Ardit e kam përjetuar shumë keq ndarjen nga djali, kisha një vendosmëri që pas lindjes kurrë nuk do ndahesha prej tij. E kam brengë sot e kësaj dite, e kam boshllëk në shpirtin tim, unë kam dhe fëmijë të tjerë por secili ka vendin e vetë.

Ardit Gjebrea: Si të ndanë nga djali?

Lule Doçi: Vjen një çift burrë e grua, ishin nga fshatrat e mia dhe ajo grua më kërkoi për vëllain e saj. Pas 6 orë bisedë unë i thoja vetëm jo, jo, jo sepse kam një djalë. Ajo më gënjeu, rashë përsëri pre e pabesisë, më thotë një herë për një herë do të të marr ty për vëllain tim pastaj do të marrim djalin, gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Kjo martesë siç e kisha pa dëshirë, nuk shkoi. U largova me ta dhe lashë djalin me shpresën se i besova. Kam ndenjur një vit, më 4 Shtator të vitit 1982-it jam larguar nga ajo shtëpi sepse e ardhmja ime në atë familje ishte shumë e zymtë.

Ardit Gjebrea: Gjatë kësaj kohe shkoje e takoje djalin?

Lule Doçi: Jo, nuk më linin, madje as ta përmendja.

Ardit Gjebrea: Por më pas ti pate sërish një martesë tjetër.

Lule Doçi: Po jam larguar nga ajo shtëpi dhe jam martuar përballë fshatit German të Burrelit.

Ardit Gjebrea: Si e njohe?

Lule Doçi: Në kooperative jam njohur dhe ai më ka kërkuar me këmbëngulje. Ishte i pa martuar, kam ikur dhe jam rrëmbyer me të.

Ardit Gjebrea: Si e kishte emrin personi që u martove?

Lule Doçi: Vladimir.

Ardit Gjebrea: Ti u rrëmbeve nga Vladimiri dhe ike nga shtëpia e të parit?

Lule Doçi: Po.

Ardit Gjebrea: Vladimiri si doli?

Lule Doçi: Si fillim familja e ish-burrit tim më priti jashtëzakonisht mirë dhe kam kaluar gjithmonë mirë me ta.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë pate me të?

Lule Doçi: 2 djem dhe 2 vajza, por për fat të keq ka vdekur një vajzë në ’96, 6 vjeç, ma ka  rrëmbyer përroi, e kemi gjetur pas 5-6 ditësh. /tvklan.al






Të ngjashme