3 qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes nga automjetet

Rrugët e vendit janë përgjakur gjatë kësaj të premteje, teksa 3 qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve automobilistike. Viktimat kanë qenë të gupmoshave të ndryshme, nga 7 deri në 60 vjeç.

Në mbrëmje, në aksin rrugor Milot-Rrëshen ka humbur jetën 30-vjeçari Armand Xhaferri, i cili po drejtonte automjetin tip BMW kur u përfshi në  një aksident të trefishtë.

Burimet thonë për Klan News se automjeti i drejtuar nga i riu fillimisht është përplasur më një kamion, dhe më pas ka përplasur edhe një tjetër automjet që ishte përpara tij. Si pasojë e përplasjes janë lënduar edhe dy persona të tjerë, por që fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia ndodhet  në vendin e ngjarjes dhe si pistë kryesore dyshohet parakalimi i gabuar nga ana e 30-vjeçarit.

Në mesditë, në qytetin e Vlorës, një vajzë 7-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet. Krimi ka ndodhur në aksin rrugor, Vlorë-Peshkëpi. Drejtuesi i automjetit pas ngjarjes është shoqëruar në komisariat.

Një tjetër aksident me pasojë vdekje ka ndodhur në rrugën Abedin Rexha, në zonën e Astirit. Një 60-vjeçare u përplas nga një kamion dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë.  

Policia ka ndaluar drejtuesin e automjetit, 43-vjeçarin Petrit Rrapi. Efektivët e Komisariatit numër 2 e kanë shoqëruar për t’i marrë deklarimet.

Klan News