Firma e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erion Brace, nuk është në kërkesën e 6 deputetëve të mazhorancës për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit. Por disa dokumente të siguruar nga TV Klan provojnë se ai ka punuar në mbrojtje të lojërave të fatit, ashtu si 6 kolegët e tij.

Me anë teë ketij dokumenti, Brace i kërkon stafit të tij të punës të gjejnë argumentet se përse ligji nuk mund të hyje në fuqi dhe të zbatohet që prej 31 dhjetorit të këtij viti.

Këto janë 22 pikat me të cilat kreu i Komisionit të Ekonomisë do të mbrojë tezën se ligji nuk mund të veprojë në praktikë, pasi aktet nënligjore të tij nuk kanë dalë ende.

Aty konstatohen vonesa në procedura nga më të ndryshmet, nga më minimalet, deri edhe tek mënyra se si një kompani bastesh apo një kazino duhet të bëjë aplikimin për licencën e re që duhet të marrë në 1 janar të 2016-ës.

Kërkesa nga ana e Erjon Braçes është bërë në ditët e fundit të muajit nëntor, menjëherë pas dorëzimit të amendamenteve nga grupi i deputetëve. Ndërkohe që në 22 muaj nga miratimi i ligjit, nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, nuk ka patur asnjë iniciativë për ta bërë te zbatueshëm ligjin e premtuar me forcë nga kryeministri Edi Rama.

Pas arsyeve formale që ai kërkon të gjejë përse ligji s’mund të zbatohet, duket se fshihen interesa të tjera që janë të lidhura me biznesin e lojërave të fatit./ TV KLAN