Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dy deputetët legalistë Edin Balla dhe Bahri Kollçaku kanë humbur. Konstatimi vjen nga partia e tyre pas mospjesëmarrjes në seancën parlamentare të së enjtes, njëkohësisht dhe shqetësimi nga krerët legalistë është se nuk kanë asnjë informacion prej tyre. Për ta duhet nis kërkimi, ndërsa ndëshkimi i partisë mund të vijë pas kontaktit të parë me ta. Edhe përsa i takon deputetit të tretë legalist që nuk mori pjesë në votim Fezollari, nuk ka justifikim.

Ekrem Spahia:- “Ne kemi kontaktuar me të gjithë të afërmit e tyre edhe nëpërmjet telefonave dhe deri tani nuk dihet se ku janë. Ndërsa deputeti Hetem Fezollari sipas tij, është aksidentuar duke ardhur gjatë rrugës nga Pogradeci për në Kuvend, por kurrsesi nuk e justifikon qëndrimin e tij, ai duhet të vijë edhe në gjendje kome në Parlament dhe të shprehte votën e tij kundër dy dekretimeve. Kjo është një parti nacionaliste, që e ndan një lum i madh gjaku me PS dhe asnjë votë nuk do t’i shkojë qeverive socialiste përsa të jetë ekzistenca e kësaj partie”.

Partia e Legalitetit i kërkon dorëheqjen kryeministrit, si dhe kërkon gjithashtu zgjedhje të parakohshme./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti