Në “Ashraf 3” në Manëz u dëgjuan rrëfime të të mbijetuarve të masakrave në Iran

Muxhahedinët në kampin “Ashraf 3” në Manëz me anë të një ekspozite kanë pasqyruar mizoritë dhe vrasjet masive të regjimit në vitin 1988 në Iran.

Kjo ekspozitë risolli në vemendje realitetin e hidhur në burgun e Gohar Dasht në Iran, ku mijëra persona u ekzekutuan për arsye se përkrahnin rezistencën muxhahedinëve.

Disa prej personave që i mbijetuan torturave të regjimit në Iran treguan se si të burgosurit ekzekutoheshin pavarësisht moshës.

“Që nga fillmi i masakrës në Gusht, kur unë isha në qeli, ato morën disa muhaxhedinë për ekzekutim. Deri në fund të Tetorit, të gjitha qelitë u zbrazën. Njëri nga ata ishte 18 vjeç. Ai u ekzekutua në oborrin e prokurorisë. Ata ekzekutuan atë dhe e çuan atë në një zonë mbrapa aeroportit”, tha një muxhahedin.

Sipas dëshmitarëve Dhoma e Komitetit të Vdekjes vendoste në pak sekonda se kush do ekzekutohet e kush jo.

Muxhahedinët shprehen se anëtarët e kësaj dhome në ditët e sotme qëndrojnë në krye të kupolës së shtetit në Iran.

Hamid Nuri i cili po gjykohet për gjenocid dhe krime lufte ishte personi që i merrte njerëzit dhe i çonte drejt vdekjes, teksa dëshmitë ndaj tij u dhanë në Gjykatën e Durrësit nga anëtarët e kampit në prani të një trupe gjyqtarësh nga Suedia. 

Regjimi në Iran as sot e kësaj dite nuk lejon që familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre t’i përkujtojnë.

Në Korrik të 1988, rreth 30,000 të burgosur politikë u masakruan pas seancave gjyqësore të fshehta dhe viktimat janë zhdukur në varre të fshehta masive.

Suedezët vijnë në kampin e MEK, merret dëshmia për krimet pas revolucionit

Një trupë gjykuese nga Suedia ka zbarkuar në Durrës ku do të qëndrojë pesë ditë për të marrë në pyetje disa prej muxhahedinëve që ndodhen në kampin e Manzës. Gjyqtarët do të marrin dëshmitë e tyre në lidhje me një gjyq të hapur në Suedi për një qytetar iranian të akuzuar për krim kundër njerëzimit dhe krim lufte.

Zhvillim i rëndësishëm që përfshin Shqipërinë dhe që do të nisë më 10 Nëntor

Në një veprim të paprecedentë, më 26 Tetor në fillim të seancës, gjykatësi shpalli se i gjithë trupi gjykues i Stokholmit do të zhvendoset në Durrës të Shqipërisë për dy javë. Gjyqi do të nisë në Durrës më 10 Nëntor dhe do të vazhdojë deri më 19 Nëntor. Gjykata ka vendosur të zhvendoset në Shqipëri për të dëgjuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve kyç, të cilët janë të gjithë anëtarë të MEK dhe banojnë në kampin “Ashraf 3”, që është shtëpia e 2,800 anëtarëve të MEK.

Nisur nga rëndësia e këtyre dëshmive për çështjen, të gjashtë gjyqtarët, dy prokurorë, avokatë të palës paditëse, përkthyes, dhe avokati i Noury do të vijnë në Shqipëri. Kjo është bërë e mundur pas një koordinimi mes drejtësisë suedeze dhe asaj shqiptare. Drejtësia shqiptare ka rënë dakord për të mundësuar zhvillimin e gjyqit në Durrës, i cili është qyteti më i afërt me “Ashraf 3”. Shqipëria është vendi i vetëm ku do të zhvendoset ky gjyq.

Një numër shumë i madh të mbijetuarish, dëshmitarësh dhe familjarësh të viktimave do të jenë në Durrës gjatë seancave gjyqësore.

Rëndësia e kësaj çështjeje për regjimin iranian

Kjo çështje është aq e rëndësishme për regjimin iranian saqë, në takimin midis ministrit të Jashtëm të regjimit iranian dhe ministrit të Jashtëm të Suedisë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Shtator, Amir-Abdollahian e përmendi çështjen e gjyqit dhe tha se të gjitha dokumentet e paraqitura në gjykatë janë të fabrikuara nga MEK.

Informacion mbi masakrën e 1988-ës:

Në Korrik 1988, lideri suprem i atëhershëm i regjimit iranian, Ruhollah Khomeini, nxori një dekret ku deklaronte se të gjithë të burgosurit politikë që mbeteshin të palëkundur në mbështetjen e tyre për lëvizjen opozitare iraniane, Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), duhej të ekzekutoheshin. Fakte dhe detaje të mëtejshme vërtetuan se regjimi e kishte planifikuar një masakër të tillë shumë kohë përpara se ajo të ndodhte.

Sipas fetvas së Khomeinit, në Teheran e në mbarë Iranin u formuan “Komisionet e Vdekjes”. Të burgosurit silleshin para Komisionit (me tre deri në katër anëtarë) dhe fatet e tyre vendoseshin për pak minuta. Të burgosurit politikë që refuzonin të braktisnin bindjet e tyre ekzekutoheshin menjëherë (kryesisht me varje).

Në pak muaj u masakruan të paktën 30,000 të burgosur politikë, 90 për qind e të cilëve ishin nga MEK. Viktimat, shumë prej të cilave kishin kaluar tashmë disa vite burg dhe madje e kishin mbaruar dënimin por nuk ishin liruar, u varrosën në varre masive të fshehta.

Pothuajse të gjithë liderët dhe zyrtarët e lartë të regjimit iranian kanë patur gisht në këtë masakër. Që atëherë, autorët e masakrës kanë gëzuar imunitet të plotë.

Kush është Hamid Noury?

Hamid Noury (i njohur gjithashtu si Hamid Abbasi) ka qenë i përfshirë në masakër si ndihmës i zëvendës prokurorit në burgun Gohardasht të qytetit Karaj (në perëndim të Teheranit). Ai është ekzekutuesi i një numri të madh të burgosurish. Disa vite më parë, Rezistenca Iraniane e pati identifikuar atë si një nga autorët e masakrës së 1988-ës.

Noury ishte posaçërisht përgjegjës për dërgimin e të burgosurve në “korridorin e vdekjes” dhe prej andej në “Komisionin e Vdekjes”, dhe më pas nga atje në “sallonin e vdekjes”, ku ata ekzekutoheshin. Ai akuzohet se i ka ekzekutuar vetë personalisht një numër të burgosurish. Shumë dëshmi nga të mbijetuarit e masakrës konfirmojnë se ai u ka thënë mbështetësve të PMOI-së se të gjithë ata që vazhdonin ta mbështesnin PMOI-në do të ekzekutoheshin.

Klan News