Shpallet në kërkim, 32-vjeçari Roland Pula

Forca të shumta policie, përfshi edhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë vazhdojnë të mbajnë të rrethuar fshatin Gramëz, pas ekzekutimit me armë zjarri të vëllezërve Gramoz dhe Xhontil Bardhi. Autori i dyshuar, 32-vjeçari Roland Pula, vazhdon ende të jetë në kërkim nga policia”.

Personi që shihni në foto është 32-vjeçari Roland Pula, autori i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Gramoz e Xhontil Bardhi, 34 dhe 24 vjeç. Gjithçka nisi pas një debati verbal që viktimat patën me autorin në lokalin e fshatit. Pas kësaj, 32-vjeçari Pula shkoi i armatosur në banesën e vëllezërve Bardhi dhe qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të tyre, duke i lënë të vdekur.

Sipas policisë shkak për krimin e dyfishtë është bërë një konflikt i vjetër mes familjeve të viktimave dhe autorit, pasi vëllai i dy viktimave kishte plagosur xhaxhain e autorit të krimit. Edhe banorët e zonës shprehen të tronditur për ngjarjen.

“Konflikti është i vjetër, e di gjithë fshati. Viktimat i kam njohur për djem të mirë, qoftë i pari, 35-vjeçari, burrë i martuar me fëmijë, në punën e tij, ai tjetri ka qenë në shkollë. Njerëz të qetë.”

Mbrëmjen e së enjtes policia ushtroi kontrolle në disa banesa, madje ngriti edhe dronë për kapjen e autorit, por nuk arriti ta prangosë. Makina me të cilën Pula u largua u gjet e braktisur pranë banesës së tij, ndërsa arma e krimit nuk është sekuestruar ende nga policia.

Sipas informacioneve policore, anëtarë të familjeve ishin konfliktuar edhe herë të tjera deri mbrëmjen e së enjtes, kur Roland Pula qëlloi për vdekje vëllezërit Gramoz e Xhontil Bardhi.

Tv Klan