Për median spanjolle “El Debate” Shqipëria është një nga vendet më të përballueshme sa i përket kostove për këtë vit, por fakti që është një destinacion i lirë për të udhëtuar nuk do të kompromentojë aspak cilësinë e pushimeve.

E pasur plot me pasuri natyrore, udhëtarët mund të vizitojnë Thethin i cili ndodhet në zemër të Alpeve shqiptare. I themeluar në shekullin e XVII nga shqiptarët katolikë që ikën nga pushtimi osman, ky fshat i vogël është një strehë e vërtetë paqeje dhe ka gjithashtu një Park Kombëtar. Rekomandohet edhe Tirana që shquhet për ndërtesat shumëngjyrëshe.

Qytet tjetër që nuk duhet humbur është edhe Berati i cili ndodhet rreth 120 kilometra në jug të kryeqytetit, një qytet që vlerësohet për historinë e tij të pasur, arkitekturën e tij të mrekullueshme dhe vendndodhjen e tij përrallore. Atraksioni më i madh në këtë qytet është kalaja që dominon qytetin nga kodra.

Në verilindje të Gjirokastrës ndodhet “Ura e Kadiut” dhe Banjat e Bënjës të cilat janë kthyer në një nga vendet më panoramike në jug të Shqipërisë, thuhet në artikull.

Ka një pamje të bukur të urës osmane dhe burimeve të nxehta nga një shpellë e vendosur në shpatin e malit. Vlerëson edhe qytetet bregdetare si të Himarës dhe Vlorës. Për këtë media, plazhet më të mira në vend gjenden edhe në Himarë ndërsa ato më të bukurat e Evropës  janë në Vlorë.

Ky qytet po shfaqet gjithashtu edhe si një destinacion kulinarie pasi udhëtarët mund të shijojnë kuzhinën italiane përtej Adriatikut, të ndërthurur me kuzhinën vendase me produkte deti të freskëta.

Klan News