Brenda një automjeti të parkuar në Sauk janë gjetur dy armë zjarri, sasi municioni luftarak dhe një bllokues valësh. Siç mësohet nga blutë e Tiranës, pronar i automjetit rezulton Emiljano Nina, i cili aktualisht ndodhet në ambjentet e paraburgimit në kryeqytet. Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi Ols Gjoshi, i cili dyshohet se përdorte këtë automjet.

“Goditet, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, një rast i armëmbajtjes pa leje.  Sekuestrohen 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh, që u gjetën në një automjet të parkuar, në Sauk. Punohet për kapjen e një 37-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte automjetin, si dhe u referuan materialet në Prokurori, për pronarin e tij. Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat: Në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O. Gj., 37 vjeç. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. N., dhe po punohet për kapjen e shtetasit O. Gj”, thotë Policia.

Kujtojmë se Gushtin e kaluar, u raportua një aksident i pazakontë te Diga e Liqenit. Shofer i BMW-së ishte pikërisht Emiljano Nina, i cili u arrestua rreth dy muaj më vonë. Uniformat blu thanë asokohe se kanë referuar në prokurori shtetasin Emiljano Nina për 7 akuza, më të rëndat prej tyre ato të drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

28 vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminalë, ndërsa siç bën me dije gazetarja e Klan News Glidona Daci është kushëri i Ervis Martinajt./tvklan.al