Për programin “Historia ime”, në tv Klan ishte në një lidhje në Skype prima balerina e Teatrit të Operas dhe Baletit, Enada Hoxha. Ajo është gjithashtu edhe koreografe e dhjetra produksioneve televizive.

Në lidhje me situatën dhe izolimin si pasojë e pandemisë, Hoxha shprehet se duhet t’i themi Zotit faleminderit që jemi mirë.

Për sa i përket stërvitjes, prima balerina shprehet se nuk është e thjeshtë të ushtrohesh mbi pllaka, por për të mbajtur trupin në formë duhet të bëjnë diçka.

Enada Hoxha: T’i themi Zotit faleminderit që jemi mirë të gjithë dhe sigurisht që jemi të ndjeshëm ndaj atyre që vërtet po vuajnë nga ky virus që nuk është i thjeshtë. Megjithatë mundohemi të organizohemi, mundohemi t’i kalojmë ditët sa më bukur, sa më bukur në sensin duke u organizuar me lojëra, me të lexuar, Roani me mësime, neve po ashtu kemi programin e teatrit që stërvitemi online. E më pas kemi stërvitjet tona individuale, bëjmë pazarin e ditës dhe pastaj të tërë së bashku ulemi, diskutojmë, shikojmë ndonjë film dhe kështu kalon dita.

Mirela Milori: Sa e lehtë është të vazhdosh me stërvitjen?

Enada Hoxha: Sigurisht që nuk është e thjeshtë sepse edhe në kushtet e shtëpisë. Ne për fat kemi një shtëpi të madhe dhe kemi pakëz hapësirë, por me kolegët jam e bindur që janë shtëpinë më të vogla dhe nuk është e thjeshtë. Nuk është e thjeshtë të ushtrohesh mbi pllaka, megjithatë ideja për të mbajtur trupin në formë, arrijmë të bëjmë diçka./tvklan.al