Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta pastrojnë qytetin sirian të Manbij nga milicia kurde, në të kundërt trupat turke do të ndërhyjnë për të zgjidhur këtë çështje. Kështu u shpreh të premten Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, gjatë një fjalimi në Stamboll.

Kërcënimi i drejtpërdrejtë i shtohet kështu retorikës së vazhdueshme kundër milicisë kurde. Të mërkurën, kreu i shtetit turk tha se SHBA, që mbështet kurdët në verilindje të Sirisë, po dështon në mbajtjen e premtimit për të pastruar Manbij nga luftëtarët kurdë. Ankaraja i konsideron paraushtarakët kurdë në Siri përzgjatim të guerilëve antiqeveritarë me bazë në Turqi dhe i cilëson ata terroristë.

“Manbij është një vend ku jetojnë arabët, por ata ia kanë dorëzuar zonën një organizate terroriste

“, tha Erdogan.

“Tani ne po ju themi se duhet ta pastroni, t’i hiqni nga aty, ose ne do të futemi në Manbij. Po flas shumë qartë”,

 shtoi ai më tej.

Manbij ndodhet në perëndim të lumit Eufrat, në një rrugë kyçe që të çon në qytetin e Alepos. Turqia e konsideron të gjithë kufirin me Sirinë si delikat sa i përket sigurisë, megjithatë ra dakord që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kujdeseshin për situatën në lindje të lumit, ku historikisht ndodhen pronat e kurdëve.

/tvklan.al