“Duhet të mbështesni qeverinë legjitime të Libisë”

Rexhep Taip Erdogan nuk e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve për të çuar ushtrinë e tij ne Libi, siç vendosi pak javë më parë parlamenti në Ankara.
Por presidenti turk beson se vendi i tij është çelësi i paqes në Libi.

Teksa zgjidhja e krizës Libiane diskutohet për herë të dytë brenda kësaj jave, në një artikull për gazetën “Politico”, me titull “Rruga drejt paqes në Libi kalon përmes Turqisë”, Erdogan shprehet se: Do të ishte një gabim i përmasave historike që Libia të lihet në mëshirën e një baroni lufte. Ai i referohet këtu komandantit të forcave me bazë në lindje të Libisë, Khalifa Haftar.

Presidenti turk ka paralajmëruar Evropën se do të përballet me probleme dhe kërcenime të reja nëse nuk e mbështet qeverinë e pajtimit kombëtar, që njihet nga ndërkombëtarët.

Dështimi i mundshëm i BE-së për të mbështetur në mënyrë të duhur këtë qeveri do të ishte një tradhti ndaj vlerave të saj thelbësore, përfshirë demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Për më tepër, Evropa do të përballej me një sërë problemesh dhe kërcënimesh të reja, nëse qeveria legjitime e Libisë do të rrëzohej”, thotë Erdogan në shkrimin e tij.

Presidenti turk thotë se zgjedhja e duhur për Evropën është të punojë me Turqinë. Një konferencë paqe do të mbahet të dielën në Berlin, teksa më 12 Janar palët e përfshira në konflikt në Libi, që pas vrasjes së Muhamar Gedafit në vitin 2011, ranë dakord për një armëpushim, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë.

Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimit Europian, Britania, Franca, Kina, Turqia apo Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe kreu i qeverisë së Tripolit dhe rivali  i tij, Haftar.

Tv Klan