Ujësjellësat mund të rrisin tarifat duke respektuar kriteret

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në vend do të mund t’i rishikojnë tarifat, por vetëm bazuar në kriteret e vendosura nga Enti Regullator i Ujit në metodologjinë e re.

Burime nga ERRU-ja pohojnë se aktualisht shumica e ndërmarrjeve nuk i mbulojnë dot shpenzimet e operimit dhe të mirëmbajtjes, ndërsa nevoja e lartë për investime në këtë sektor nuk mund të mbulohet më vetëm me buxhetin e shtetit, donatoret apo nga tarifat aktuale.

Por në çdo rast është metodologjia që saktëson mënyrën sesi do të bëhet ndryshimi i tarifave duke marrë parasysh kostot, numrin e klientëve dhe volumin e shërbimeve.  

“Shoqëria ka të drejtë të propozojë tarifa fikse dhe volumetrike për shërbimet e furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe të trajtimit të ujërave të ndotura. Nëse propozohet tarifë fikse, kostot e pranuara operacionale ndahen midis tarifës fikse (deri ne 30%*) dhe tarifës volumetrike (jo më pak se 70%)”.

ERRU ka kërkuar nga 57 ujësjellës, kanalizimet në vend që të hartojnë plane të qarta biznesi disavjeçare. Ndërkohë sipas Entit aplikimi i metodës së re që ka parasysh financimin e investimeve me anë të tarifave, do të kontribuojë në rinovimin e aseteve dhe rrëzimin e vjetërimit të tyre.

Tv Klan