Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar.

Kreu i shtetit ka postuar deklaratën e komisioneres europiane për Inovacionin Mariya Gabriel dhe bashkëngjitur fjalëve të saj thotë: Dëgjoni zërin e vërtetë të Europës.

“Dialogu me shoqërinë civile dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore është i nevojshëm përpara se të merret një vendim i pakthyeshëm mbi Teatrin Kombëtar në Tiranë. Ne inkurajojmë që të gjitha institucionet të përfshihen në një dialog konstruktiv me palët e interesuara për trashëgiminë kulturore”, shkruan Gabriel.

Reagimin e eurokomisioneres e shpërndau edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai bëri thirrje që të ndalet dhunimi i ligjit dhe Kushtetutës.

“Faleminderit Gabriel Mariya, Europa Nostra dhe Luigi Soreca për mesazhet e qarta për respektimin e ligjit dhe thirrjen për dialog me artistët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore. Të ndalet menjëherë dhunimi i Kushtetutës & ligjit dhe provokimi për prishjen e paligjshme të TK”, shkruan Basha.

Kujtojmë që Presidenti Ilir Meta ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë për t’ia kaluar Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë mbrëmjen e së enjtes Këshilli Bashkiak i kryeqytetit i dha dritën jeshile prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar./tvklan.al