Edhe Australia e Brazili goditen nga stuhi dhe përmbytje

Kjo video e xhiruar nga kamerat e sigurisë së shtëpive në perëndim të Londrës tregon forcën shkatërrimtare të stuhisë së fuqishme Ciara, aq sa ka shkulur me rrënjë pemët nëpër rrugët e kryeqytetit britanik.

Jo vetëm Britania, por të gjitha vendet e veriut të Europës u goditën nga erërat e fuqishme që arritën një shpejtësi prej mbi 140 km/orë, që i morën jetën 7 personave në vende të ndryshme. Stuhia po i drejtohet jugut të kontinentit ku pritet të godasë dhe Shqipërinë.

Veç 2 të vdekurve në Britaninë e Madhe, 2 të tjerë kanë humbur jetën në Poloni dhe nga një në Francë, Zvicër dhe Suedi ku një tjetër person rezulton ende i humbur. Disa persona mbetën të plagosur në Gjermani nga stuhia tjetër ‘Sabine’, e nxitur nga Ciara, po ashtu tepër e fortë sa përmbysi kamionë e shkaktoi dhjetëra aksidente, por mori me vete edhe njerëz.

Pezullime të lëvizjes së trenave ka pasur në disa qytete të këtyre vendeve, duke krijuar radhë të gjata nëpër stacione. Me dhjetëra janë edhe pezullimet e fluturimeve nëpër aeroportet ndërkombëtare, për shkak të problemeve me ulje-ngritjet e avionëve.

Qindra mijëra familje janë pa energji elektrike nëpër këto vende nga thyerja e shtyllave. Stuhitë kanë krijuar të njëjtën situatë të vështirë edhe në hemisferën jugore. Reshje të dendura e përmbytje, ato kanë shkaktuar edhe në Australi e Brazil.

Tv Klan