Gjigandi i mediave sociale, Facebook ka njoftuar se do të ndalojë publikimin e të gjitha përmbajtjeve që mbështesin talebanët. Kompania ka bërë me dije se ka një ekip të dedikuar ekspertësh afganë për të monitoruar dhe hequr të gjitha përmbajtjet e lidhura me grupin islamik.

Kjo masë është marrë pasi talebanët për vite me radhë kanë përdoruar mediat sociale për të përhapur mesazhet e tyre dhe kanë ndikuar tek shumë qytetarë.

Por duket se pushtimi i shpejtë i Kabulit dhe marrja e pushtetit nga ana tyre ka gjetur të papërgatitur të gjithë, përfshirë dhe kompanitë e mediave sociale.

Një zëdhënës i Facebook ka bërë me dije për BBC se për këtë kompani talebanët janë një organizatë e rrezikshme.

Kjo do të thotë që ne do të bllokojmë llogaritë në emër të talebanëve dhe ndalojmë lavdërimin dhe mbështetjen e tyre”, deklaroi zëdhënësi i Facebook.

Facebook theksoi se politika zbatohet për të gjitha platformat e saj duke përfshirë rrjetin e saj kryesor të mediave sociale, Instagram dhe WhatsApp. Sidoqoftë, ka raporte se talebanët po përdorin WhatsApp për të komunikuar./tvklan.al