Pranvera Elezi nga Uznova e Beratit shprehet se për disa kohë mbajti në shtëpinë e saj nipin jetim me probleme depresioni.

Por ai shfaqi agresivitet ndaj të bijës dhe Pranvera u detyrua të çonte çështjen në polici dhe gjykatë, nga ku mori urdhër mbrojtjeje, që ndalonte Edison Hoxhallarin, t’i afrohej familjes dhe banesës së saj. Megjithatë i plotfuqishmi i zonës nuk e merr përsipër sigurinë e Pranverës.

Në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Berat thonë se mosha mbi 25 – vjeç, nuk e lejon Edisonin të strehohet në qendrat rezidenciale. E njëjta përgjigje edhe në Bashki, ku kërkojnë diagnozën e mjekut.

Ardian Jançe, mjek në Berat shprehet se Edison Hoxhallari ka prapambetje mendore, shoqëruar me ulje të intelektit dhe sjellje impulsive.

“Unë quhem Pranvera Elezi, jam nga Berati dhe e kam shtëpinë në Uznov. Kam një problem me nipin tim, është me të meta mendore, ka kaluar depresion.”

Pranvera thotë se Edisoni është jetim, ndaj ka jetuar me të ëmën e saj. Por kur ajo ndërroi jetë, ai u burgos për rreth 5 vite dhe kur u lirua Pranvera e ftoi në shtëpinë e saj për të jetuar.

Ky na kërcënon në shtëpi, po më vret fëmijën 11 – vjeçar. Lajmërova policinë dhe ata më bënë dokumentet nga ana e gjykatës.”

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin numër 34, më datë 20.03.2017, vendosi 14 masa shtrënguese, ku në njërën prej tyre thuhet se Edison Hoxhallari urdhërohet të mos i afrohet paditëseve Pranvera Elezit dhe vajzës së saj, Paulinës, në një distancë prek 100 metrash dhe se nuk i lejohet hyrja në banesën e tyre pa autorizimin e gjykatës. 

“Ai prapë vjen në shtëpi, më shqyen derën. Nuk e dua se më tromaks fëmijën. Vetëm shpirti im e di, jam gati të pi helm. Qeveria të vejë dorën në zemër për Edison Hoxhallarin, nuk e mbaj dot në shtëpi”.

Vajza e pranverës, Paulina shprehet se prej tre muajsh nuk shkon në shkollë për shkak të Edisonit, i cili e ndjek dhe bërtet. Ajo rrëfen se ai e ka dhunuar dhe se një herë i ka thyer krahun.

“Nuk e dua në shtëpi atë! Që kur ka ardhur ai mua më dhemb shumë zemra.”

Gazetarja e emisionit “STOP” së bashku me Pranvera Elezin, i janë drejtuar Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Berat për të marrë një informacion rreth kësaj çështjeje.

Drejtoresha e Shërbimit Social në Berat, Mirela Guri shprehet se Drejtoria Rajonale përgatit dokumentacionin dhe çon atë në Shërbimin Social Shtetëror për t’u vendosur në institucion, por mosha e tij dhe vendimi i mëparshëm i gjykatës e përjashtojnë Edisonin nga qëndrimi në institucionet rezidenciale.  

“Është totalisht një rast që duhet ta ndjekë pushteti vendor”.

Më pas iu drejtuan Shërbimit Social në Bashkinë e Beratit, ku komunikuan me specialisten Zegjine Lika. Ajo thotë se çështja ka ngelur pezull për shkak të moshës së Edisonit, i cili është mbi 25 – vjeç, mosha maksimale e përcaktuar për strehimin në institucionet rezidenciale dhe se shpreson që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë.

Lika shprehet se nevojitet diagnoza e mjekut, i cili vlerëson dhe përcakton nëse ky person duhet të shkojë në një qendër për personat me probleme mendore.

Mjeku Ardian Jançe thotë se Edisoni është diagnostifikuar me prapambetje mendore të moderuar, e cila nënkupton ulje të intelektit dhe sjellje agresive.

“Nga familjarët është kërkuar që ky të strehohet diku tjetër, por nuk kemi patur mundësi nëpër spitalet psikiatrike. Si mjekë, ne sugjerojmë që ai të qëndrojë në qendrat rezidenciale, që të jetë nën vëzhgimin e personelit.”

Pranvera thotë se ajo është ankuar për këtë problem tek polici i lagjes, Hamiti, por ai nuk ka marrë masa. Ndaj gazetarja e emisionit “STOP” kërkoi të komunikonte me të.

Gazetarja – Ju jeni i plotfuqishmi i Uznovës?

Hamiti – Po.

Gazetarja – E keni zbatuar ligjin, e keni mbrojtur këtë qytetare?

Hamiti – Po, e kam mbrojtur. Nuk ka paraqitur asnjë ankesë.

Pranvera

– Jam ankuar, i kam kapur të gjithë.

Gazetarja

Kur zonja merr një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, i jepet një kopje komisariatit të policisë…

Hamiti –

Po, po.

Gazetarja

Ju si Polici e Shtetit, si i plotfuqishmi i lagjes duhet ta keni nën kontroll këtë shtetase…

Hamiti –

Po, po.

Gazetarja

Po ajo na ka thërritur ne si STOP! Ti kërkon një shkresë me shkrim nga zonja? Ajo të ka telefonuar…

Hamiti –

Jo, nuk më ka telefonuar.

Pranvera

– E kam marrë zotërinë!

Hamiti – Telefonat janë me… Të lutem!

Gazetarja

Që sot e tutje ju çfarë masash do të merrni?

Hamiti –

Ne do të marrim masë… nëse do të ketë ankesë ajo ne do të veprojmë. Të vijë të bëjë ankimim te inspektori i Policisë Kriminale, të vejë tjetra në prokurori.

Gazetarja

Zotëri, ju duhet ta monitoroni këtë situatë!

Të gjitha institucionet e hoqën barrën nga vetja, por Pranverës kush do t’ja heqë? A do të vazhdohet të lejohet ky person me probleme mendore të bredhë i lirë dhe të kërcënojë familjen Elezi?/tvklan.al