Në 22 janar të 2018-s Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg do t’i duhet të vendosë mbi fatin pronarëve shqiptarë. E gjithë vendimmarrja e Strasburgut për çështjet e pronësisë shqiptare u pezullua gjatë 2017 me kërkesë të qeverisë, deri sa të miratoheshin ndryshime në Ligjin e Pronave dhe të plotësoheshin VKM-të shoqëruese.

Bëhet fjalë për rreth 80 padi të akumuluara që nga 2010, të cilat presin për përcaktimin e një fature dëmshpërblimi në dëm të shtetit shqiptar. Por me ndryshimin e rregullave të kompensimit nga qeveria në dhjetor të këtij viti, shifra që shteti shqiptar do t’u duhet t’i paguajë pronarëve ankimues në Strasburg, për çështje për të cilat gjyqi nuk është mbyllur ende, pritet të rrudhet ndjeshëm.

Viti 2016 ka qenë viti kur shteti shqiptar ka paguar shifrat më të mëdha të dëmshpërblimit, 15.3 milionë euro në favor të personave privatë dhe një kompanie tregtare vendime të marra që nga viti 2004.

Sipas faqes zyrtare të Avokaturës së Shtetit, vetëm për 5 çështjet për të cilat gjykata Strasburgut ka marrë vendim të formës së  prerë në 2016, shtetit shqiptar i shkaktohet një dëm prej 9 milion eurosh. Ndërkohë që 12 milion euro llogaritet fatura për vendimet e marra në vitin 2015.

Mos zgjidhja e problemit të pronave ka bërë që të rritet ndjeshëm numri i shtetasve shqiptarë që i drejtohen gjykatës së Strasburgut. Sipas statistikave të Avokaturës së Shtetit, në rast se në 2004 numërohej vetëm një çështje, viti 2015 numëron numrin më të madh të vendimeve të gjykatës në favor të pronarëve dhe në dëm të shtetit shqiptar.

Klan Plus