Partia Republikane, aleati kryesor i Partisë Demokratike, është shprehur se duhet parë koalicioni i partive të djathta në prag të zgjedhjeve. Kryetari i PR-së Fatmir Mediu ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes në koalicion të Lidhjes për Zhvillim Kombëtar.

Fatmir Mediu: “Brenda logjikës së bashkëpunimit opozitar duhen parë pozicionet politike dhe interesat reciproke të subjekteve përkatëse dhe në këtë kuadër mendoj që ka subjekte politike që kanë kontributin e tyre në jetën politike pavarsisht nga madhësia që kanë ashtu siç duhen diferencuar qartë edhe lëvizjet, të cilat, natyrisht, kur deklarojnë që LZHK-ja ka deklaruar që do të bashkëpunojë me Partinë Socialiste dhe nuk besoj që duhet të ketë naivitet nga ana e opozitës që të bashkëpunojë me Partinë Socialiste apo të bashkëpunojë me subjekte që janë në krah të Partisë Socialiste. E kam theksuar edhe herë të tjera, PDR-ja, si forcë opozitare duhet të jetë pjesë e angazhimit opozitar me një pozicion më të qartë politik dhe megjithatë u takon atyre që të gjykojnë pozicionet e tyre politike, por them që ka hapësirë të funksionimit të përbashkët politik në garën mazhoritare.” /tvklan.al