Fatos Nano, një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” lidhur me seancën e katërt të Kongresit të Partisë Socialiste.

Përballë gazetarit Blendi Fevziu, kreu i PS tha se mesazhi i tij për të fituar detyrën e kryetarit ishte të krijonte rregulla loje të qarta.

“Ka një vullnet të qartë politik që u shfaq edhe në kongresin e tretë të PS për të mos bërë më shaka me gjëra serioze dhe ky është thelbi i debatit dhe problemit që ka lindur. Një parti që nuk respekton statutin e vet, që nuk angazhohet për të ndryshuar rregullat e statutit kur ata e pengojnë për të funksionuar në mënyrë institucionale dhe demokratike nuk mund të japë mesazhe. Mesazhi kryesor i fushatës time për të fituar detyrën e kryetarit ishte rregulla loje, plotësim i skemës së institucioneve demokratike të funksionimit të partisë si një mesazh serioziteti për të ndërtuar institucione demokratike në Shqipëri. Kongresi nuk mbajti qëndrim nëse delegatët janë legjitimë apo jo, por i pranoi dhe zhvilloi punimet mbi bazën e delegatëve të zgjedhur”, tha Nano.

I pyetur se ku do t’i gjejnë fondet për seancën e paparashikuar të kongresit, Nano tha se është i njëjti financim i ligjshëm që shërbeu për financimin e kongresit të tretë dhe që s’ka mbaruar.

“Është shtuar edhe një ditë për delegatët. Pagesa edhe për 3 orë e sallës dhe është shtuar mjaft kontributi vullnetar i mjaft prej simpatizantëve që deri në këto momente kanë marrë përsipër transportin falas të delegatëve. Jemi parti e mbështetur mbi vullnetarizmin dhe që e ka të shenjtë solidaritetin. Nuk janë para që vijnë nga njerëz të korruptuar, por nga militantë që i heqin nga buka e gojës për partinë e vet”, tha Nano.

/ tvklan.al