Ministria e Financave është duke punuar për të ndryshuar sërish nivelin e tarifave të përmbaruesve gjyqësorë privatë. Pas pezullimit të vendimit të Gushtit të këtij viti nga Gjykata Administrative e Apelit, vendim i cili ulte 2 deri në 4 herë tarifat përmbarimore për ekzekutimin e borxheve të këqija në banka, krahasuar me ato të vendosura nga dy ministrat Teknikë, Helga Vukaj dhe Gazmend Bardhi, financat po punojnë që t’i ulin më tej tarifat. Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se po punohet nga dy ministritë, ajo e Financave dhe e Drejtësisë, që tarifat përmbarimore të ulen edhe me 30% më shumë se ato që u vendosën në muajin Gusht.

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, thotë se niveli aktual i tarifave, i cili është lënë në fuqi pas pezullimit të udhëzimit të dy ministrave Ahmetaj e Gjonaj nga gjykata, vendos çmime stratosferike për qytetarët dhe bankat.

Shoqata e Bankave thotë se në rastin e tarifave që janë në fuqi, më i humbur del qytetari, të cilit i sekuestrohet dhe i shitet prona, pasi për një peng me vlerë mbi 500 milion lekë, 20 milion lekë të rinj i merr përmbaruesi, duke e lënë sërish qytetarin debitor pranë bankës. Çmimet e këtij tregu në çdo vend të Europës dhe rajonit nuk janë më të larta se 2 500 euro.

Vendimi për tarifat e përmbaruesve privatë i firmosur në muajin Gusht, uli me 60% çmimet për përmbaruesit që u vendosën në 2017-n. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve e ankimoi çështjen në gjykatë, ku u vendos pezullimi i këtij vendimi deri në shqyrtimin në themel të çështjes. Aktualisht ekzekutimi i të gjitha pronave të lëna peng si kredi të këqija po bëhen me çmimet marramendëse të firmosura nga dy ministrat teknikë. Gjithashtu si mundësi për uljen e këtyre tarifave, qeveria po shqyrton si mundësi edhe liberalizimin e këtij shërbimi.

Tv Klan