Shqipëria dhe Austria do të rrisin bashkëpunimin në fushat e arsimit dhe zhvillimit bujqësor. Kjo u konkretizua me nënshkrimin e  marrëveshjes së bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës. Marrëveshja për palën shqiptare u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj si dhe Rektori i Universiteti Bujqësor, Fatbardh Sallaku. Sipas tyre kjo është një marrëveshje historike e cila do sjellë tranformim të Universitetit Bujqësor.

Ogerta Manastirliu: Shënojmë një moment historik me nënshkrimin për herë të parë të një marrëveshjeje të tillë mes ministrive të Arsimit dhe Bujqësisë të dy vendeve tona, me qëllim për të transformuar dhe modernizuar Universitetin e Bujqësisë të Tiranës, duke standardizuar kurrikulën, përmirësuar kërkimin shkencor, themeluar programe të përbashkëta, me synim diplomat dyfishe me Universitetin BOKU të Vjenës, si rezultat final i kësaj marrëveshjeje.

Anila Denaj: Është një mundësi fantastike për të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptare, të cilët duan të studiojnë në këtë fushë, për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, por njëkohësisht për të krijuar një potencial të ri në atë që është politikëbërja.

Falë kësaj marrëveshjeje do të fillojë një proces transformimi rrënjësor, duke nisur nga rishikimi i programeve, kurrikula, trajnimi i stafit akademik, tek hapja e mundësive të reja të kërkimit shkencor dhe invacionit. Në 4 vite synohet të përmbushet transformimi i plotë i Universitetit Bujqësor në parametrat e BOKU. Marrëveshja mbështet transformimin e UBT me financim rreth 3 mln euro, ku përmes programit të ndërkombëtarizimit, qeveria shqiptare do të financojë 1,9 mln euro.

Klan News