Viti 1992 ka qenë momenti i parë i thyerjes së militantëve ilegalë me LDK-në e Ibrahim Rugovës.

Në një rrëfim të gjatë Hashim Thaçi rrëfen se si i priti Rugova përfaqësuesit e studentëve, cili ishte angazhimi i tyre dhe përse ata nuk besonin më tek ai, por një xhirim privat që transmetohet për herë të parë sjell një ndër daljet e para publike dhe kontestuese të djaloshit 24-vjeçar, Hashim Thaçit, si përfaqësues i studentëve gjatë varrimit të një bashkëmoshatari të vrarë nga policia serbe.

“Në emër të unionit të studentëve të universitetit të Kosovës, të lules më të shndritshme të tokës shqiptare do të flet Hashim Thaçi.”

Hashim Thaçi: “Vrasja e të riut, Sami Ramë Babaj, nga policia vrasëse serbe ashtu siç i preku thelet e zemrës së popullit shqiptar, preku në shpirt edhe studentët e universitetit të Kosovës, lulen e rinisë së Kosovës. Vrasja e Samiut nga pushteti ushtarak…ne studentëve jo vetëm që nuk do të na frikësojë dhe do hanë nga rruga jonë e shenjtë për çlirim, por përkundrazi do të na shtyjë që të mobilizohemi të gjithë si një grusht i vetëm që flakadanin e rinisë ta çojmë deri në çlirimin e plotë të trojeve shqiptare nën okupimin serbo-maqedonas. Në këtë rast në studentët u bëjmë apel subjekteve politikë, shoqata, sindikata që t’i hapin sytë dhe të punojnë më shumë për çlirim se përndryshe të gjithë do të përgjigjemi para historisë për këtë luftë pacifiste të imponuar nga Evropa, e cila edhe vetë e ndau, përndryshe populli di edhe vetë të organizohet ashtu siç diti çdo herë kur e filloi me grushtin lart, dhe vazhdoi me dy gishtërinj dhe di ta përfundojë vetëm me një gisht si rrugë e vetme për çlirim dhe komunikim me pushtuesin. Prandaj në këtë rast ia tërheq vërejtjen hegjemonizmit sllavo-madh që të mos luajë me zjarrin se përndryshe do të vijë koha kur vetë do të digjet në të. Lavdi dëshmorit Sami Ramë Babaj!”/tvklan.al