Ka vonesa por jo probleme financiare. Sinan Idrizi, Administrator i Flamurtarit, deklaron se klubi vlonjat është korrekt për nga ana ligjore dhe kontraktuale me futbollistët e tij.

“Flamurtari mund të ketë probleme të çdo lloji, por të tilla probleme nuk ka”, tha Idrizi.

Por sipas Idrizit deri më tani, asnjë lojtar nuk i është drejtuar formalisht klubit me pretendimin se nuk i është përmbajtur kontratës.

“Me përgjegjësi të plotë asnjë. Nuk ka një problem të tillë në kuadrin ligjor. Nëse klubi do të ishte privat dhe nëse do kishim ekonomi sporti vonesa s’do kishte. Jemi kompani që financohemi nga jashtë, pagesat nga Turqia me sistem bankar.”

 Por një prej lojtarëve të rëndësishëm Danilo Alvesh nuk është kthyer ende nga Brazili. Aludohet se mosprania e tij në skuadër është për shkaqe financiare.

“Sa i përket Alvesh e kemi njoftuar me e-mail dhe FIFA-n dhe për çdo ditë vonese do të ndëshkohet. Kur të dalë dielli në Brazil do vijë, jemi klub zemërgjerë, do tërheqim veshët.”

Ndryshe nga vitet e fundit, këtë periudhë, Flamurtari nuk do të zhvillojë fazën përgatitore jashtë vendit.

“Këtë vit Flamurtari do e bëjë fazën në Vlorë, Kurvelesh apo Ersekë.”

Flamurtari e mbylli fazën e dytë të sezonit në vendin e 6 me 28 pikë.

Tv Klan