Një furgon me pasagjerë dhe një tjetër mjet kanë mbetur të bllokuar në lumin e Zall Bastarit në Kryeqytet pasditen e kësaj të shtune, si pasojë e vërshimit të lumit.

Përfaqësues të njësisë Administrative Zall Bastar thanë për

tvklan.al

se të gjithë pasagjerët dhe shoferi i furgonit kanë arritur të shpëtojnë, ndërsa deri më tani nuk është arritur nxjerrja e furgonit nga lumi.

Pasagjerët mësohet se kanë arritur të dalin vetë nga mjeti, ndërsa më pas furgoni është marrë para nga ujërat e lumit, niveli i të cilit është rritur me shpejtësi.

Me t’u njoftuar nga banorët, në vendngjarje kanë shkuar mjetet e Bashkisë dhe Njësisë Administrative Zall Bastar.

Një fadromë dhe një kamion po presin të bjerë niveli i ujit për të bërë të mundur nxjerrjen e furgonit.

Ndërkohë makina tjetër është ndihmuar nga një automjet i njësisë administrative dhe ka arritur të dalë pas probleme nga lumi.

Ministria e Brendshme njoftoi se një skuadër e Kërkim Shpëtimit dhe një kamion i kalueshmerisë së lartë të Forcave të Armatosura ishin nisur në ndihmë të mjeteve të bllokuar në Zall Bastar.

Muajin e kaluar emisioni “Stop” solli pamje të urës së shembur në njësinë e Zall Bastarit, ku banorët rrezikonin jetën duke kaluar lumin.

/tvklan.al