Britania dhe Belgjika arrijnë marrëveshje bashkëpunimi

Policia franceze ka larguar një kamp emigrantësh të improvizuar pranë portit verior të Dunkirk. Aty qëndronin dhjetëra emigrant nga Lindja e Mesme të cilët kishin si synim largimin drejt Britanisë së Madhe.

Mediat franceze thonë se 27 emigrantët që u mbyten në kanal të mërkurën e kaluar në përpjekje për të mbërritur në Britani nëpërmjet një gomoneje e cila u nis nga brigjet franceze kishin qëndruar pikërisht në të njëjtën zonë.

Oficerët e armatosur hynë në kamp përpara se punonjësit me kostume mbrojtëse të rrëzonin tendat ku strehoheshin emigrantët.

Franca dhe Britania kanë hasur javët e fundit mosmarrëveshje të ndryshme mbi çështjen e imigracionit. Parisi anuloi ftesën për ministren e Brendshme britanike në një takim të mbajtur këtë të diel ku u diskutua problematika me homologët e BE-së duke thënë se Britania e Madhe nuk ishte serioze në përgjigjen e saj.

Në takimin e mbajtur ishte pjesëmarrëse edhe Belgjika ku se fundmi është publikuar një marrëveshje mes saj dhe Britanisë së Madhe për forcimin e marrëdhënieve dy paleshë mbi çështjen e emigrantëve. 

Në deklaratë bëhet me dije se dy vendet do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe vendet fqinje për të përmirësuar punën e përbashkët në ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe flukseve të paligjshme të emigrantëve.

Tv Klan