Eurozona është në rrezik nga qeveria e re italiane që po formohet nga dy parti euroskeptike, është paralajmërimi që bën ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Mer. Duke folur për mediat franceze, Le Mer tha se nëse ekzekutivi i ri italian heq dorë nga politika e masave të kursimit, që u zbatua pas krizës financiare të 2010-ës, stabiliteti ekonomik i gjithë Eurozonës është i kërcënuar.

Ai i bëri thirrje Di Maios e Salvinit të respektojnë angazhimet e marra përsipër nga paraardhësit e tyre, që sipas tij nuk janë në varësi të programeve qeverisëse.

Ndërsa kreu i ‘Lëvizjes 5 Yjet’ tha se Europa tashmë duhet ta ketë të qartë se tani e tutje, në krye të axhendës janë italianët dhe pas tyre masat anti-krizë e deficiti. Në marrëveshjen e qeverisë së re, 5 Yjet dhe Lega Nord parashikojnë shfuqizimin e ligjeve për rritjen e moshës së pensionit dhe kufizimet për defiçitin buxhetor, që ekspertët e Bankës Qëndrore Europiane i përcaktuan për të nxjerrë Italinë nga kriza ekonomike.

Ndërsa Mateo Salvini i Lega Nord u shpreh i sigurtë se brenda të hënës qeveria e re do të marrë formë përfundimtare dhe do të publikohet edhe emri i Kryeministrit.

Tv Klan