Thirrje për qasje të barabartë në vaksinat anti-covid

Ministrat e Shëndetësisë nga e gjithë bota kanë rënë dakord në lidhje me nevojën e bashkëpunimit për zhvillimin e njohjes reciproke të testimit dhe certifikatave të vaksinimit në shkallë globale.

Marrëveshja u arrit për të ashtuquajturat pasaporta të vaksinave pas takimit në Oksford të Ministrave të Shëndetësisë të vendeve të G7-s.

Pas samitit dyditor, politikanët arritën në përfundimin se ata duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar standarde ndërkombëtare dhe praktika të njehsuara “për krijimin, përdorimin dhe njohjen e ndërsjellë të certifikatave të testimit dhe vaksinimit në të gjitha vendet që përdorin vaksina të sigurta, efektive dhe të rishikuara në mënyrë rigoroze”.

Certifikata e vaksinimit shihet si mjeti kyç për të hequr kufizimet dhe lehtësuar fluturimet ndërkombëtare, sidomos tani gjatë sezonit veror. Që tani janë hequr disa kufizime, por kontrollet e shumta shëndetësore në aeroporte kanë shkaktuar kaos.

Dokumenti i lëshuar pas takimit thekson se “vendet e G7-s janë të përkushtuara të punojnë drejt një procesi të pranimit të ndërsjellë të certifikatave të vaksinimit ndaj COVID-19”.

Ministrat e Shëndetësisë nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja bënë gjithashtu thirrje për shtimin e kapaciteteve të prodhimit të vaksinave dhe garantimin e qasjes së barabartë edhe të vendeve të varfra në to.

Disa vende të zhvilluara, përfshirë edhe SHBA-në kanë bërë thirrje për shfuqizimin e patentave të vaksinave në mënyrë që edhe vendet më pak të zhvilluara t’i prodhojnë vetë vaksinat anti-covid.

Klan News