Mbi 300 familje pranë Shkëmbit të Kavajës do të ngrenë padi kundër Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika, pasi autoriteti i drejtuar prej tij, u ka hequr një mbikalim që i lidhte me zonën e plazhit, duke u dëmtuar bizneset dhe investimet që arrijnë në miliona euro.

Madje banorët thonë se padi do të bëjnë edhe ndaj Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto dhe Kryeministrit Edi Rama.

Mbikalimi lidh dy anët e rrugës në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Sipas banorëve ARRSH ka premtuar disa herë për rivendosjen e këtij mbikalimi të rëndësishëm për ta, por ende nuk është marrë asnjë masë.

ARRSH, jo vetëm që nuk ka mbajtur premtime për vendosjen e mbikalimit, por ka injoruar prej dy muajsh edhe shkresat  e banorëve të cilët kanë kërkuar zgjidhje për këtë problem. Tv Klan ka siguruar dy shkresa që i drejtohen Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Njëra mban datën 18 Maj 2016, me numër 3/44213 dhe tjetra në datën 27 Qershor të këtij viti. E fundit i është drejtuar Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika, nga një shtetas italian, administrator i një biznesi italian me 173 apartamente dhe 43 njësi shërbimi.

Ai thotë se heqja e mbikalimit nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar për të favorizuar një karburant, ka penalizuar të gjitha bizneset e tjerë, duke u bllokuar daljen në zonën e plazhit.

Për favorizim të një biznesi të ngjashëm në dëm të sigurisë rrugore, Autoriteti Rrugor Shqiptar u hetua edhe nga Prokuroria e Kavajës që çoi në burg tre drejtues, pas një aksidenti ku u vranë dy fëmijë.

Banorët thonë se nuk kanë marrë përgjigje për asnjë nga shkresat e dërguara. Ata janë ngritur në protestë dhe tashmë shohin padinë në gjykatë ndaj Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si zgjidhjen e vetme. Për të kaluar në anën tjetër të rrugës, nga mungesa e mbikalimit, ata   duhet të ecin afro 2 kilometra në këmbë ose duhet të rrezikojnë jetën duke kaluar mes trafikndarësve, çka ka çuar në largimin e turistëve dhe drejt falimentimit të bizneseve të tyre.

Tv Klan