Gazetari zbulon skandalin: Një agjent krimesh u kap duke transportuar kanabisin e korrur nga policia

Foto: Gazetari Eni Ferhati dhe furgoni që transportonte drogë


Gazetari zbulon skandalin: Një agjent krimesh u kap duke transportuar kanabisin e korrur nga policia

10:06 06/10/2020

Hije dyshimi, çfarë fshihet pas operacionit anti-drogë në Vlorë

Javën e kaluar në fshatin Bolenë të Vlorës u gjetën të paktën 6674 rrënjë kanabis të kultivuara gjatë një aksioni anti-kanabis të policisë, që u finalizua me arrestimin e kryeplakut të fshatit Bolenë por edhe të disa personave të tjerë. Në komunikatën zyrtare, policia u njoftua me një njoftim të thatë duke mos dhënë informacione të plota.

Por si qëndron e vërteta e këtij aksioni? Në emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, gazetari i kronikës së zezë Eni Ferhati ka thënë se ky operacion është i mbuluar me hije skandali. I ftuar në studio, gazetari Ferhati është shprehur se një ditë pas këtij operacioni në fshatin Bolenë të Vlorës, në aksin Tepelenë – Gjirokastër u ndalua një furgon brenda të cilit u gjetën bimë narkotike kanabis sativa.

Furgoni drejtohej nga një oficer policie i Drejtorisë së Policisë së Durrësit, dhe sipas gazetarit Ferhati, dyshohet se kanabisi është pikërisht nga e njëjta parcelë që do të asgjësohej në fshatin Bolenë.

Disa prej bimëve të gjetura në furgon kishin shenja të djegies, çka nënkupton se ishin marrë nga fshati Bolenë i Vlorës pasi policia shkoi të asgjësonte parcelën. Polici që drejtonte furgonin u arrestua në flagrancë dhe nuk bëri rezistencë.

Foto: Furgoni që drejtohej nga punonjësi i policisë brenda të cilit u gjetën bimë kanabisi

Eni Ferhati: Ai operacion atje ka dyshime tejet të arsyeshme që vazhdon edhe me një skandal tjetër. Një ditë më pas operacionit që ka ndodhur në Bolenë dhe në Vërrnik, në fshatin Dukaj të Tepelenës, në aksin Gjirokastër – Tepelenë është zbuluar një furgon mallrash me targa gjirokastre. Në furgon  janë gjetur 1356 kg kanabis. Bëhet fjalë për bimë të sapokëputura, të njoma, të cilat u gjetën në këtë furgon me peshë mbi 1200 kg dhe furgoni drejtohej nga një oficer policie i Komisariatit të Durrësit. Bëhet fjalë për një agjent krimesh, në moshë të re për hir të së vërtetës. Operacioni është zhvilluar nga Policia e Gjirokastrës. Është marrë informacioni në rrugë operative dhe është bërë më pas gjurmimi dhe ndalimi i këtij furgoni. Efektivi i policisë ka qenë me një të afërm të tij, konkretisht djalin e hallës së tij të cilët janë ndaluar dhe është bërë arrestimi i tyre në flagrancë. Oficeri kishte me vete dhe armën e shërbimit. Nuk ka reaguar fare për hir të së vërtetës, i është dorëzuar menjëherë policisë. Nuk ka pranuar të deklarojë asgjë, ndërkohë ajo që është skandal është fakti që nga kqyrja paraprake që u janë bërë bimëve të sekuestruara, në shumicën prej tyre janë parë shenja djegie të bimës. Është vërtetuar që furgoni ka ardhur nga Vlora në drejtim të Gjirokastrës, prandaj e lidha me rastin e Bolenës. I djegur sepse ka dyshime të arsyeshme që kjo bimë mund të jetë marrë pas asgjësimit të bimëve në fshatin Vërrnikë dhe Bolenë ku janë djegur dhe asgjësuar mbi 20 mijë bimë, dhe ka dyshime që nga pakujdesia e grupeve të kontrollit që kanë shkuar për të kryer operacionin, një pjesë e bimës mund të jetë lënë pa u asgjësuar plotësisht, ose siç parashikohet në procedurat standarde, dhe në këtë rast është shfrytëzuar nga oficeri i policisë së Durrësit dhe i afërmi i tij për ta marrë bimën më pas dhe për ta trafikuar. Ata nuk kanë pranuar të flasin, nuk përmendet kjo e djegies, po bëhet që të mbahet e fshehtë ky detaj për shkak të një problematike tjetër që më pas lind kur kemi një operacion kaq masiv dhe nuk besoj që policia të jetë kaq amatore që të lërë një pjesë të madhe bimësh narkotike pa djegur dhe pa asgjësuar plotësisht.

Gazetari ka treguar gjithashtu se targat e këtij furgoni janë të vjedhura në Gjirokastër dhe i përkasin një automjeti tip Mercedes-Benz. Ndërsa vetë furgoni, model Iveco, sipas gazetarit Ferhati, nuk rezulton të jetë i regjistruar në Shqipëri.

“Targat rezultojnë të vjedhura në qytetin e Gjirokastrës dhe i përkasin një automjeti Mercedes-Benz. Ndërsa furgoni Iveco për çudi rezulton i paregjistruar fare në databazet e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor apo Drejtorisë Rrugore”, tha gazetari Eni Ferhati.  /tvklan.al




Të ngjashme