ERE: Emergjente nisja e ndërtimit të rrjetit brenda vendit

Në 15 Nëntori gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline nisi aktivitetin tregtar, por në Shqipëri ende nuk del gaz për furnizimin e tregut.

Enti Rregullator i Energjisë i rekomandon autoriteteve që të nisin menjëherë ngritjen e infrastrukturës së gazit pasi jo vetëm që është më ekonomike, por dhe ul emetimet në mjedis të shkarkimeve të karbonit.

“Është tepër emergjente ngritja e infrastrukturës së gazit sepse jo vetëm është më ekonomik përdorimi i tij, por ka edhe emetime shumë herë më të vogla, duke ulur në masë të konsiderueshme ndotjen e ambientit”.

Shqipërisë i duhet të bëjë rezervimin e kapaciteteve të gazit në dy pikat e planfikuara të daljes së tij në Fier dhe Korce, të cilat më pas do të lidhen me rrjetin e furnizimit me gaz pasi ndërtimit të tij.

“Konsumatori i parë duhet të jetë TEC-i i ndërtuar në Vlorë dhe duhet të vazhdojë ndërtimi i Projektit Jonian Adriatik Pipeline i cili do të lidhë rrjetin me Malin e Zi, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe deri në Kroaci”.

Njëkohësisht qeveria ka një projekt për ndërtimin e Terminalit të Gazit Metan të Lëngëzuar nga firmat amerikane Exxon Mobile dhe Axelerate Energy.

Gazsjellësi TAP nisi shpërndarjen e gazit në dy vendet e tjera ku kalon tubacioni Greqi dhe Itali në fund të vitit që shkoi. Për muajt Dhjetor dhe Janar vlerësohet që Greqia ka marrë 305 milionë metërkub gaz dhe Italia  188 milionë metërkub.

Tv Klan