Izraeli, vendi i parë në botë që nis aplikimin e tre vaksinave

Qeveria gjermane miratoi injektimin e dozës përforcuese të imunitetit, si masë kundër rrezikut të variantit Delta. Të gjithë personat që kanë marrë dy dozat e vaksinave Pfizer, Moderna e AstraZeneca si dhe atë të vaksinës një-dozëshe Johnson end Johnson mund të marrin një tjetër dozë vaksine, duke nisur nga Shtatori.

Sipas ministrisë gjermane të shëndetësisë, doza përforcuese synon rritjen e nivelit të anti-trupave që bien me kalimin e muajve, për ta mbajtur sistemin imunitar në alarm ndaj mutacionit të ashpër indian, që përhapet më lehtësisht se të gjitha variantet e tjera, përfshirë edhe atë fillestarin.

Lista e vendeve që kanë vendosur injektimin e dozës përforcuese po zgjerohet. Izraeli është vendi i parë në botë që nisi të Dielën imunizimin e popullsisë me dozën e tretë, duke filluar nga moshat 60 vjeç e sipër. Mes vendeve të kontinentit, Britania e Madhe ka në plan që fushatën e dozës së tretë ta nisë në më 6 Shtator.

Shtimi i të prekurve me variantin Delta detyroi zyrtarët në Moskë, vatrën më të madhe, të injektojnë dozat e treta për të gjithë personat e imunizuar 6 muaj më parë. Vende të tjera si Turqia, Greqia, Franca, Italia e Spanja janë pranë këtij hapi. Plani është që edhe në Shtetet e Bashkuara të nisë injektimi i dozës përforcuese gjatë Shtatorit.

Tv Klan