I dyshuari i cili plagosi kryeministrin sllovak, Robert Fico u dërgua në gjykatë pranë Bratislavës. Policia sllovake e ka akuzuar të dyshuarin e identifikuar si Juraj C, për tentativë vrasje.

Mediat lokale raportojnë se 71-vjeçari ishte roje sigurie në një qendër tregtare. Policia mëngjesin e së shtunës kreu gjithashtu edhe kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit  në qytetin e afërt të Jablonovcës ku ai dhe gruaja e tij qëndronin.

Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico iu nënshtrua një operacioni dyorësh të premten që ka rritur shpresat për shërimin e tij. Zëvendëskryeministri Robert Kalinak ka bërë të ditur se çdo vendim për transferimin e Ficos në kryeqytetin Bratislava nga qyteti qendror i Banska Bystrica, ku ai po trajtohet, do të merret vetëm kur ai të ketë shfaqur përmirësime të mëtejshme.

Fico u qëllua katër herë në stomak dhe në krah nga një distancë e afërt teksa përshëndeti mbështetësit.

Për më shumë se gjashtë muaj, klima politike në vend ka qenë veçanërisht armiqësore megjithëse ato datojnë të paktën në vitin 2018, kur u vra një gazetar që hetonte pretendimet për korrupsion të nivelit të lartë. Fico u detyrua të jepte dorëheqjen atëherë, mes protestave masive.

Rikthimi i Ficos në pushtet shkaktoi shqetësim në mesin e kritikëve të tij se ai dhe partia e tij e cila është përfshirë prej kohësh nga skandale që do ta largonin Sllovakinë nga kursi i saj properëndimor. Ai u zotua të ndiqte një politikë të jashtme “sovrane”, premtoi një qëndrim të ashpër kundër migracionit dhe organizatave joqeveritare dhe bëri fushatë kundër të drejtave të LGBTQ+.

Klan News