Sistemi spanjoll për zgjedhjet duket të jetë një kërcim i vështirë për dy partitë e mëdha nëse zgjedhin të dalin të vetme në përballjen elektorale të vitit 2009. Ky është mendimi i kryetarit të Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi, i cili kërkon të paralajmërojë Partinë Socialiste të vlerësojë aleancat parazgjedhore, një taktikë elektorale që sipas tij e favorizon vetë sistemi i ri ai proporcional-rajonal.

Skënder Gjinushi: “Ky sistem absolutisht dmth do bashkëpunim edhe për partinë e parë. Pra partia e parë është më e favorizuara në të dhe rrjedhimisht absolutisht duhet pra të garantohet çdo grupim, duhet të garantoj që të zërë vendin e parë. Kjo është ajo që bëjnë të gjithë dhe kjo nuk bëhet nëpërmjet metodave të eliminimit aq më tepër kur kundërshtari nuk e ndjek metodën e eliminimit. Në rast se ke një grupim të djathtë tërësorë atëherë duhet t’i përgjigjesh me të njëjtën monedhë, është tjetër gjë në rast se edhe kundërshtari në thonjëza pranon duelin tek e tek gjë që s’është rast”.

Gjinushi nuk e sheh problematike për të majtën daljen e LSI-së të vetme, por ndryshe do të ishte nëse LSI do të vendoset të bashkëpunonte me të tjera forca politike.

Skënder Gjinushi: “Pra ndarje të mëtejshme ose copëzime të tjera absolutisht dëmtojnë. Ndaj dhe ne kemi theksuar që këtu më rëndësi ka bashkëpunimi PS-PSD për fatin e zgjedhjeve se sa PS-LSI siç është konceptuar nga disa. Sepse ndarja PS-LSI është një llogari e bërë, ndarja tjetër nuk është një llogari e bërë”.

Por çfarë do të rrezikonte PS nëse dilte e vetme në zgjedhje. Deklarimet e saj të paktën deri tani janë pro këtij qëndrimi, duke parë si më të mundshme aleancat pas zgjedhore.

Skënder Gjinushi: “Kur pyesin a do fitoj e majta, unë përgjigjem se jam i sigurt që s’fiton e djathta. Pra Berisha s’fiton dot zgjedhje që është e qartë. Këtu bëhet fjalë për optimizim të fitores dhe jo dobësim për mend të kokës të saj”.

PSD jo për herë të parë deklarohet për bashkëpunim me PS, duke parashtruar si të nevojshme redimensionimin e marrëdhënieve opozitare me qëllim fitoren e zgjedhjeve të viti 2009./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi