Gjykata lë në burg Lubjana Gjeçajn



Gjykata lë në burg Lubjana Gjeçajn

12:06 08/09/2020

E dënuar në Itali për bashkëpunim me ISIS

E akuzuar si pjesë e një celule terroriste në Itali, Lubjana Gjeçaj do të qëndrojë në burg për 40 ditë me qëllim ekstradimin drejt vendit fqinj. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Tiranës për 43-vjeçaren, që dyshohet se në kohën që jetonte në Itali, rekrutonte vajza për t’i martuar me luftëtarë të ISIS në Siri. Në seancën me dyer të mbyllura, Gjeçaj ka kërkuar që të vuajë dënimin në Shqipëri për shkak se është nënë e 3 fëmijëve dhe duhet të kujdeset për ta.

Ajo ka pranuar se ka qenë në dijeni të dënimit prej 3 vitesh heqje lirie të dhënë nga autoritetet italiane dhe ka qenë e gatshme ta shlyejë dënimin. Sipas hetimeve, Lubjana Gjeçaj është një nga personat që lidhi martesën e terroristit shqiptar Aldo Kobuzi me një italiane, për ta kthyer atë në xhihadisten e parë nga ky vend.

Në Korrik të 2015-s, autoritetet italiane zhvilluan operacionin “Martesa”, duke goditur një grup kriminal që rekrutonte luftëtarë për shtetin islamik ISIS. Operacioni u shtri në disa qytete në Itali dhe në Lushnjë të Shqipërisë, ku u arrestuan 10 persona, nga të cilët 4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez.

Tv Klan




Të ngjashme