Presidenti Donald Trump merr mbështetjen e Gjykatës Supreme për një prej çështjeve më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara, përfshirjen në Ushtri të komunitetit transgjinorë. Me një votim të ngushtë 5-4, organi më i lartë i drejtësisë amerikane vendosi ndalimin rekrutimit të tyre në radhët e Ushtrisë. Ky vendim përfshin edhe ata persona që kanë bërë kërkesë për ndërrimin e gjinisë.

Urdhri i Presidentit Trump shkaktoi polemika dhe hasi bllokadë në disa gjykata amerikane. Të shumta ishin protestat e komunitetit homoseksual dhe organizatave për të drejtat e njeriut që pasuan njoftimin e Shefit të Shtëpisë së Bardhë. Mirëpo ish-Sekretari i Mbrojtjes, Xhejms Matis, sqaroi në argumentimin e paketës së re se ligji nuk ka tipare diskriminuese, por është konceptuar i tillë pasi shërbimi ushtarak kërkon sakrifica të mëdha të lirisë personale.

Trump anulon kësisoj urdhrin e parardhësit të tij Barak Obama, i cili vendosi të lejojë hyrjen e personave trans në Ushtri dhe financimin e ndërhyrjes kirurgjikale për ta, duke nxitur në këtë mënyrë rekrutimin në Ushtrinë Amerikane.

Tv Klan