3 efektivë policie të Elbasanit u plagosën në tentativë për të ndaluar një 50-vjeçar që kishte grabitur një dyqan në lagjen ku banonte. Ai u përlesh me policët duke i goditur ata me një gërshërë.

Dyqani i lagjes ndodhet vetëm pak metra larg shtëpisë ne lagjen “5 Maji”. Rreth orës 10:00, Irfan Halimllari 50 vjeç ka marrë vendimin absurd për të grabitur fqinjët e tij. Pasi ka terrorizuar të zotët, u ka marrë 20 mijë Lekë të reja të xhiros ditore dhe është kthyer në shtëpi. Menjëherë pronari i lokalit ka njoftuar policinë.

Punonjësit e policisë kanë tentuar ta shoqërojnë, por ai ka kundërshtuar, madje është përleshur me policët duke i qëlluar ata me mjete të mprehta. Të tre policët kanë marrë plagë të lehta, përveç njërit që është goditur në qafë me një gërshërë. Pas neutralizimit, autori është dërguar në komisariat.

Nëna e 50-vjeçarit tregon për gjendjen e djalit. 

“Është i sëmurë ai nga mendja”.

Tre policët e lënduar morën ndihmën mjekësore në spital.

Tv Klan