Me mbështetjen e 153 deputetëve, Parlamenti grek u bë i pari që ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, në një seancë plenare të dominuar nga debati mes ish- partnerëve në qeveri, Alexis Tsipras dhe Panos Kamenos.

Kryetari i Grekëve të Pavarur, i tërhequr në opozitë pak ditë para se marrëveshja për emrin me Maqedoninë të kalonte në parlament, sulmoi ashpër shefin e qeverisë greke duke e akuzuar për tradhëti kombëtare dhe blerjen e tre deputetëve nga grupi i tij parlamentar.

“Kryeministër, është një krim ky që keni kryer. Unë marr përgjegjësitë e mia, por sa i përket Grekëve të Pavarur nuk do ta harroj kurrë. Blerja e karrigeve ministrore për të plotësuar 151 vota tregon se po flasim për përmbysje të Kushtetutës dhe çdo morali”.

Tsipras iu referua vargjeve të Kavafit për t’i kthyer përgjigje ish-aleatit të tij.

“Dëgjuar ju dëgjuar por pa dashur të hyjë në interpretime psikoanalitike, përmendët katër herë fjalët ura bashkëpunimi. Ju siguroj, nuk do të gjeni porte të reja ku të ankoroheni. Do më jeni mirënjohës që kuptova në kohë planin tuaj politik për të rrëzuar qeverinë”.

I ashpër ishte dhe reagimi i kreut të opozitës Konstandinos Mitsotakis që akuzoi qeverinë për tregëti politike. Për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO votuan 145 deputetë të SYRIZA-s dhe tetë deputetë të pavarur.

Tv Klan