Greva e bluzave të bardha mbetet e hapur. Përfaqësuesit e Sindikatës së Shëndetësisë nuk kanë vendosur ende që të mbyllin grevën e tyre, pasi ashtu siç deklaruan pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Leonard Solis nuk janë të kënaqur me rritjen e pagës së vedosur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kryetari i kësaj sindikate z.Sabri Skënderi ka deklaruar se janë duke mbledhur firmat e të gjithë punonjësve të Shëndetësisë të cilët do të vendosin për fatin e grevës.

Sabri Skënderi: “Sipas ligjit do të grumbullohen firmat e të gjithë punonjësve , anëtarëve të sindikatës nëse këta përbëjnë mbi 50%, atëherë greva do të vazhdojë pra nuk do të bien dakord me këtë rritje.”

Ndërkaq përfaqësuesit e sindikatës kanë menduar që t’i propozojnë ministrit Solis që, nëse nuk është e mundur që rroga e punonjësve të Shëndetësisë të rritet në masën 50%, siç e kërkojnë ata, atëherë do të gjendet një rrugë e mesme.

Sabri Skënderi: “I kërkojmë ministrit të Shëndetësisë që, përveç asaj arritjes 12%, meqenëse qeveria e ka të pamundur rritjen tjetër të pagave, ai të urdhërojë drejtoritë e intitucioneve që të bëjnë transparencën e të ardhurave dytësore dhe të ardhurave të tjera me sindikatën dhe në bashkëpunim me sindikatën të krijojnë mundësinë e pagesave plus të punonjësve. Të paktën të realizohen dy paga: një në qershor dhe një në dhjetor.”

Ky propozim do t’i dërgohet ministrit Solis nesër dhe nëse pranohet, atëherë sindikalistët kanë vendosur t’i japin fund grevës./tvklan.al