Një fëmijë ngatërrohet në maternitet. Një vajzë e komunitetit rom i jepet një familje të bardhë dhe familjes rome i jepet një vajzë e bardhë, kjo është historia që u trajtua sot në emisionin “Historia ime” në Tv Klan. Hamide Alu ka rrëfyer në studio përjetimet e saj si një fëmijë i birësuar në një familje të bardhë, paragjykimet që ka përballuar kur ishte fëmijë dhe si ka qenë marrëdhënia e saj më prindërit të bardhë.

Hamide Aliu: Në klasën e tretë po njësoj më shanin dhe nuk durova dot më dhe shkoj tek nusja e xhaxhit dhe i them të lutem më trego si është historia ime. Ajo nuk më tregon dhe shkoj tek kasollja e pulave, marr helm dhe e pi. Doja të helmoja veten sepse nuk duroja dot të më shanin dhe të më kapnin për flokësh në shkollë. Në shtëpi nuk më tregonte asnjë njeri si ishte historia ime. Motra ime e kuptoi që kisha pirë helm më dha ujë të nxehtë dhe më dërguan në spital, ajo ma ka shpëtuar jetën. Në moshën 14 vjeç mami më tregoi që nuk isha fëmija i tyre. Atëhere nuk e kisha dashur jetën.

Mirela Milori: E mban mend mënyrën ta tregoi?

Hamide Aliu: Një ditë kishim për të bërë vaksinat, por unë nuk doja ta bëja sepse nuk më përfillte askush dhe i thashë mamit nuk dua të bëj vaksinë e më tha të keqen mami bëje vaksinën se është e mirë për ty dhe do të të tregoj një histori që t’i nuk duhet të mërzitesh. Më tha të keqen mami ti je e ndërruar në spital, ti nuk je fëmija im, fëmijën tim e ka marrë mami jot. Unë nuk e kam dashur veten dhe më ka rënë të fiktë. /tvklan.al