Jo gjithmonë gjërat shkojnë mirë me operacionet estetike. Rasti i një 42-vjeçareje nga Antalya e Turqisë, e cila humbi buzën e poshtme pas 4 operacioneve është vetëm një prej të shumtave.

Songul Uzunoglu, nënë e 3 fëmijëve, pas këshillave të shoqeve u paraqit në një qendër estetike në Shkurt të vitit 2019 për të kryer mbushje në fytyrë dhe të buzës së poshtme me inde të marra nga pjesa e barkut. Kjo ndërhyrje iu tha se ishte e favorshme ekonomikisht dhe me garanci 2 vjeçare, por e gjithë mbushja iu zhduk brenda një kohe të shkurtër. Kjo e detyroi të rikthehej 4 herë brenda vitit në të njëjtën qendër estetike.

Pas ndërhyrjes së katërt në fytyrë dhe të dytë në buzë, 42-vjeçarja u zgjua një mëngjes me buzën e nxirë dhe me shenja mavijosje në nofullën e poshtme.  Dëmtime të shumta pësoi edhe në indet e brendshme të gojës, që ia vështirësuan jetesën.

E dëshpëruar dhe në gjendje të keqe, gruaja iu drejtua mjekut të Kirurgjisë Plastike, Rindërtuese dhe Estetike të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Antalyas, Prof. Dr. Omer Ozkan. 

Mjeku i tha se për ta rikthyer buzën afër gjendjes së mëparshme ishte e nevojshme të kryente disa operacione, por për shkak të koronavirusit, procedurat u zgjatën në kohë.

Më parë nuk mundesha as të ushqehesha. Ishte tepër e vështirë. Pas 2 operacioneve, dr. Omeri më tha se gjithçka po shkonte shumë mirë. Fjalët e tij më kanë ndihmuar shumë. Më ndihmoi të mbledh veten kur isha në gjendje tepër të keqe. Më bëri të besoj se do të rregullohet gjithçka. Tashmë ndihem më mirë dhe mund të ushqehem”, tha Uzunoglu.

Për agjencinë turke të lajmeve “DHA”, 42-vjeçarja tha se “kisha probleme shumë serioze me buzën. Kisha ngushtim dhe zvogëlim të saj. Pas transplantit me inde që kreu doktori gjendja u përmirësua. Doktori më ka thënë se në 4-5 operacionet e ardhshme do ta përmirësojë më tej. Pasi të kalojë faza emergjente e Covid 19 besoj se do të vazhdojmë me operacionet. Në ditët tona gratë duan të duken sa më bukur. Me këtë qëllim i nisa edhe unë operacionet. Fatkeqësisht njeriut mund t’i ndodhë gjithçka./tvklan.al