Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga shefi i ri i këtij misioni për Shqipërinë Jan Kees Martijn.

Kreu i Bankës Qendrore e ka informuar misionin e FMN-së mbi zhvillimet e fundit ekonomike në Shqipëri. Ai është shprehur se mjedisi ekonomik në vend është i qëndrueshëm dhe ofron kushte për një rritje ekonomike pozitive, të mbështetura nga sektori prodhues, si energjia, bujqësia dhe turizmi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është informuar edhe mbi tregun bankar dhe hyrjen e aktorëve të rinj në këtë treg si dhe likuiditin e këtij sistemi. Guvernatori Sejko u shpreh se ndryshimet e pronarëve të bankave po kryhen në bazë të ligjeve dhe rregullave, ndërsa sektori bankar është i mirëkapitalizuar në një kohë që kreditë e këqija janë ulur në nivelin 13.3%.

Banka ka biseduar me FMN edhe me lëvizjet në kursin e këmbimit, ndërsa misioni i Fondi vlerësoi punën e bërë nga ky institucion.

Tv Klan